Petrovska – Lajçak: Dialogu është investim strategjik për vendet nga Ballkani Perëndimor

Shkup, 8 prill – Perspektiva evropiane e të gjitha vendeve nga Ballkani perëndimor është investim strategjik në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, por edhe të Kontinentit të vjetër, u pajtuan sot në takim në margjinat e forumit ekonomik Delfi, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Prishtinë – Beograd dhe çështje tjera për Ballkanin perëndimor, Mirosllav Lajçak.

“Maqedonia e Veriut me reformat e zbatuara e ka merituar fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa konteksti momental gjoepolitik nuk lë hapësirë për anulim të procesit eurointegrues, i cili ka dimension serioz të sigurisë”, deklaroi Petrovska në takimin me Lajçakun, qëndron në kumtesën e sotme të MM-së.

Petrovska dhe Lajçak kanë konstatuar se dialogu është investimi më i mirë strategjik për vendet nga Ballkani Perëndimor, ndërsa bashkëpunimi rajonal kyç në procesin e integrimit evropian të këtyre vendeve.

“Në kushte kur bota po ballafaqohet dhe ndihmon për zvogëlimin e pasojave nga lufta në Ukrainë, Maqedonia e Veriut u bashkangjit në përpjekjet e udhëhequra nga BE-ja për organizimin e ndihmës humanitare dhe është e gatshme të pranojë refugjatë nga Ukraina”, tha ministrja Petrovska.

Në takimin, thuhet në kumtesë, u nënvizua se pjesë përbërëse nga siguria e Evropës është siguria, stabiliteti dhe prosperiteti i Ballkanit Perëndimor, që, megjithatë në masë të madhe varet nga perspektivat evropiane për rajonin. Anulimi i procesit eurointegrues, thuhet, hapë mundësi për depërtim të ndikimit të vendeve të treta, ndërsa fillimi efektiv të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në do të dërgojë porosi të qartë kundër atyre ndikimeve.