Forum: Nevojitet përforcim kuadrovik dhe financiar i institucioneve për luftimin e korrupsionit

Shkup, 7 prill – Lufta kundër korrupsionit është fenomen që nuk zgjidhet brenda natës. Nevojitet qasje gjithëpërfshirëse, duke përforcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe rajonal, si dhe përforcimin e kapaciteteve për të luftuar këtë dukuri. Gjithashtu nevojitet përforcimi financiar i kuadrove dhe institucioneve të luftës kundër korrupsionit, në mënyrë që të vendoset bazë solide për bashkëpunim më efikas rajonal.

Këtë e theksuan edhe pjesëmarrësit në sesionin e dytë “Përorcimi i bashkëpunimit ndërqeveritar në luftën kundër korrupsionit” në kuadër të forumit rajonal “Lufta kundër korrupsionit: Ballkani Perëndimor në fokus”, i cili mbahet me iniciativën e Institutit për demokraci “Societas Civilis” – Shkup (IDSCS) , Qendra e Maqedonisë për bashkëpunim ndërkombëtar (MCMS) dhe Lidership për zhvillim dhe integritet në Evropën Juglindore (SELDI).

Zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu theksoi se problemi i luftimit të korrupsionit nuk zgjidhet brenda natës sepse kjo dukuri është e përhershme.

“Fuqishëm jemi të përkushtuar në përpjekjet tona në luftën kundër korrupsionit, sepse qytetarët meritojnë demokracinë dhe standardet evropiane. Raportet e KE-së na motivojnë në përpjekjet tona për të vazhduar në këtë fushë. Maqedonia e Veriut fitoi njohje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po punojmë në përforcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe për digjitalizimin e institucioneve. Maqedonia e Veriut është një nga vendet e para që ka nënshkruar marrëveshjen për shkëmbimin e të dhënave për gjendjen pronësore, e cila konfirmon angazhimin tonë në luftën kundër korrupsionit dhe në përforcimin e bashkëpunimit në rajon dhe më gjerë”, tha Nuhiu.

Ai përsëriti se lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet strategjik i shtetit dhe është e nevojshme të ndërtohet sistem që do të ketë rregulla dhe disiplinë, sistem në të cilin institucionet do të jenë funksionale dhe do t’u shërbejnë qytetarëve.

Ministri i Drejtësisë të Shqipërisë Ulsi Manja tha se gjyqësori i ri i Shqipërisë tashmë ka filluar të japë rezultatet e para.

“Organet e reja të drejtësisë dhe drejtësia e re në Shqipëri kanë nisur të zbatohen, si dhe të japin sinjalet e para për kryerjen e punëve për personat që keqpërdorin me mjetet publike dhe prokurimet publike. Rezultatet e para në luftën kundër korrupsionit për gjyqësorin e ri në Shqipëri janë sfiduese. Lufta kundër korrupsionit nuk duhet të ketë pengesa dhe të jemi pa komplekse, nuk duhet të jetë turp për ne që kemi vendosur ta luftojmë këtë fenomen”, tha Manja.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës Albulena Haxhiu theksoi se krimi i organizuar dhe korrupsioni pengojnë zhvillimin e vendit, dëmtojnë ekonominë dhe interesat e qytetarëve.

Ajo ka theksuar se Kosova është duke ndërmarrë disa iniciativa dhe duke punuar në projektligje për një luftë më efektive kundër korrupsionit.

Bojan Bozhoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë së Malit të Zi, theksoi se bashkëpunimi rajonal është i nevojshëm për të luftuar korrupsionin në këtë pjesë të Evropës, duke shtuar se qeveria malazeze ka miratuar udhërrëfyesin për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Ligji i ri për konfiskimin e pronës është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë evropianë dhe shpresojmë që këtë muaj të marrim komente konkrete nga partnerët evropianë, pas së cilës në afat të shkurtër në Parlamentin e Malit të Zi do të marrim mbështetje politike për miratimin që ky ligj të miratohet dhe zbatohet. Është përpiluar edhe ligj i ri për lobimin dhe dërguar në KE. Megjithëse ky ligj nuk ishte pjesë e “akitos”, vlerësojmë se mendimi i kolegëve evropianë është i rëndësishëm për sa i përket këtij ligji,” tha Bozhoviq.