Prokurorja Trajçevska habitet si u lirua Remenski nga akuza pa asnjë dënim

Shkup, 7 prill – Përfaqësuesi i aktakuzës për rastin “Lidhja ndërkombëtare”, prokurorja publike Ivana Trajçeva, do të parashtrojë ankesë ndaj aktvendimit të Gjykatës themelore penale Shkup, lidhur me vendimin lirues për të akuzuarën Frosina Remenski. Duke dhënë arsyetim për ankesën e paralajmëruar prokurorja Trajçeva theksoi se për të si prokurore e cila e përfaqësoi këtë lëndë gjatë procedurës gjyqësore me të vërtetë është e paqartë se si gjykata nuk konstatoi se cilat janë veprimet e ndikimit nga ana e Remenskit.

“Vetë të dëmtuarit cekën se mu për shkak të personalitetit të saj, funksioni të cilin e ka kryer në atë moment ka çuar deri te nënshkrimi i marrëveshjeve të tilla. Kur i keni këto dy fakte të cilat gjykata edhe vetë i ka pranuar, në mënyrë të pakontestueshme ajo ishte thënë sot, me të vërtetë nuk e di si në fund gjykata solli konkludim se Prokuroria gjatë procedurës nuk dëshmoi jashtë dyshimit të matur se e ka kryer veprën me të cilën ngarkohet. Por, ne si palë në procedurë kemi të drejtë të ankesës dhe konsideroj se ajo e drejtë gjithsesi se do të shfrytëzohet”, tha prokurorja Trajçeva.

Njëherit, sa i përket pjesës dënuese ajo theksoi se u konfirmua teza e Prokurorisë se të akuzuarit i kanë kryer veprat me të cilat ngarkohen me aktakuzën e lëndës.

“Lidhur me dënimet duhet të them se do të duhet ta presim aktvendimin me shkrim në mënyrë që të dëgjojmë saktë se cilat rrethana si lehtësuese dhe vështirësuese ishin vlerësuar nga ana e gjykatës gjatë vendim marrjes dhe caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimeve të shqiptuara sepse, siç dëgjova edhe sot, vetë ato rrethana nuk i dëgjuat. Që këtu nuk mund t’ju them nëse do të kishte ankesë në këtë pjesë lidhur me dënimet tashmë të shqiptuara”, tha Trajçeva.

Përfaqësuesi ligjor i të akuzuarit të parë Bojan Jovanovski, avokati Sasho Dukovski, pas aktvendimit të shqiptuar për “lidhjen ndërkombëtare”, deklaroi se ky aktvendim gjyqësor nuk bazohet asnjë milimetër në dëshmi të cilat ishin nxjerrë gjatë procedurës, por është kompromis fatkeq mes politikës, e posaçërisht animuzitetit personal të gjykatësit të rastit ndaj klientëve të mi, posaçërisht ndaj të akuzuarit Bojan Jovanovski.

“Nuk hyj fare në dënimin drakonik nëse është i vogël apo i madh, sepse konsideroj se në këtë rast konkret nuk ka kurfarë vepre penale të kryer nga ana e të akuzuarit Bojan Jovanovski”, deklaroi Dukovski dhe paralajmëroi se për këtë aktvendim do të parashtrohet ankesë.

Ish-deputetja nga radhët e LSDM-së, Frosina Remenski, pas shpalljes së vendimit se është liruar nga faji, shkurtimisht theksoi se është e kënaqur nga vendimi i sotëm dhe kërkoi mirëkuptim pas marrjes së aktvendimit të japë arsyetim për ngjarjen e sotme.