Menaxhmenti i Ferronikelit i njofton anëtarët e Komisionit për Ekonomi me propozimet e tyre për tejkalim të krizës
Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti së bashku me menaxhmentin e ndërmarrjes Ferronikeli kanë diskutuar për gjendjen e kësaj ndërmarrje, e cila ka ndaluar punën që nga 8 tetori i vitit të kaluar për shkak të krizës energjetike. Udhëheqësit e kësaj ndërmarrjeje ofruan disa propozime për tejkalimin e kësaj krize, e që ndër to ishte që të furnizoheshin për 30-40 për qind me energji elektrike vendore me çmim siç paguajnë bizneset tjera në Kosovë.
Drejtori Genci Beribashi u shpreh se për 850 punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë arritur të paguajnë 50 për qind të pagës së tyre. Ai para anëtarëve të Komisionit ka prezantuar tri propozimet e tyre për tejkalim të kësaj krize.
Ndërsa, theksoi se ndërprerja e veprimtarisë së kësaj ndërmarrje ka prekur direkt 100 punëtorët që ishin të lidhur me zbatueshmërinë e planit të investimeve.
“Në 8 tetor 2021 ne kemi pasur rreth 950 punonjës që punonin në mënyrë direkte për Ferronikelin me kontrata, rreth 100 prej tyre kanë qenë të lidhur me zbatueshmërinë e planit të investimeve që ne kishim në mes, qëllimi ishte për ta finalizuar në muajin dhjetor 2021 që nuk u arrit dhe të parët që u impaktuan ishin këta 100 punëtorët që ishin të lidhur me implementimin e projekteve e me kontrata shumë afatshkurta. Që nga ai moment 850 punëtorët tjerë të mbetur janë vazhduar dhe kanë të njëjtat punë aktualisht, u është ruajtur kontrata kemi plotësuar pagesën me 50 për qind të pagës për rreth 85 për qind të punonjësve përtej një numri që janë punonjësit esencialë dhe të cilët vazhdojnë të jenë të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme në fabrikë“, tha Beribashi.
Ai u shpreh se kjo krizë mund të tejkalohet duke marr 30-40 për qind të nevojës të tyre të energjisë nga gjenerimi vendor me çmim sikurse bizneset tjera, pastaj të bëhet suspendimi i përkohshëm i liberalizimit të tregut energjetik për një periudhë gjashtë mujore.
Ndërsa, shtoi se edhe garantimi i pronës së tyre është kërkesë tjetër.
“Ne kemi propozuar që një zgjidhje është të marrim 30-40 për qind të nevojës sonë të operimit nga gjenerimet vendore me një çmim të tarifës ashtu siç paguan çdo biznes tjetër në Kosovë i ndryshëm nga Ferronikeli apo një pezullim të përkohshëm të liberalizimit të tregut ku janë vetëm tri kompani në Kosovë. Suspendimi i përkohshëm i liberalizimit të tregut energjetik për një periudhë gjashtë mujore pikërisht gjatë periudhës kur Kosova ka kapacitete gjeneruese më të larta se nevoja vendore me çmime duke krijuar një tarifë të re industriale vetëm për këta tre konsumatorë vendorë. Lidhur me rentën minerare është të angazhohen institucionet përkatëse duke filluar nga KPMM-ja në këtë rast në vlerësim të rentës minerare. Dhe, e treta, garantimi i pronës private, kam një pronë private të certifikuar nga institucionet e këtij vendi, e cila nuk më garantohet të kryej operimin tim normal. Nuk e di ku është shteti i së drejtës, prona është baza e një shteti”, shtoi Beribashi.
Ai ka theksuar se nga institucionet e Kosovës nuk kanë kërkuar furnizim me energji nga gjenerimi vendor gjatë dimrit, por gjatë periudhës së pranverës.
“Megjithatë në të gjitha propozimet tona nuk kemi kërkuar asnjëherë bashkëpunim apo mundësi të furnizimit me energji nga gjenerimet vendore gjatë periudhës së dimrit pasi e dimë që niveli i konsumit është më i lartë sesa i gjenerimit. Por në të gjitha rastet kemi kërkuar një bashkëpunim gjatë periudhës së pranverës duke filluar nga marsi e prilli, është evidente dhe e ditur që gjenerimet në Kosovë i tejkalojnë ndjeshëm nevojën e konsumit vendor dhe pse këto kapacitete të shkojnë për eksport me çmime të pakontrolluara kur mund të orientohen tek kompania e cila përfaqëson, dhe e cila është një shtyllë kryesore e ekonomisë kosovare”, theksoi ai.
Drejtori i përgjithshëm i kësaj ndërmarrje u shpreh se Qeveria ka mbështetur dhe subvencionuar rrymën për të gjitha bizneset tjera përveç tri kompanive që funksionojnë në treg të liberalizuar përfshirë edhe Ferronikelin.

