Qeveria: I përmirësojmë kushtet e personave me pengesa

Shkup, 4 prill– Me diskutim për avancim të inkluzionit të personave me pengesa, sot në Qeveri, u mbajt takimi i katërt i këshilltarëve të kryetarit të Qeverisë – Millan Zhivkoviq, Spase Dodevski dhe Teodor Bogoevski me përfaqësues të Nismës qytetare “Është Koha!”, ku bëjnë pjesë prindër të fëmijëve me pengesa.

Në takim, informojnë nga shërbimi qeveritar për shtyp, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve adekuate dhe kompetentëve për përmbushje të kërkesave të cilat janë krijuar nga vetë nisma “Është Koha!”. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, Ministrisë së Financave, Fondit për sigurim shëndetësor dhe KNF (Klasifikimit ndërkombëtar të funksionimit).

“Qeveria mbetet e përkushtuar të punojë dhe vazhdimisht t’i avancojë dhe lehtësojë kushtet për jetë të personave me pengesa, pa dallim të moshës së personave. Qëllimi është përmirësimi i jetës së personave me pengesa përmes zgjidhjeve sistematike dhe gjetjes së zgjidhjeve përfundimtare, të krijuara në mënyrë inkluzive”, thonë nga Qeveria.

Nga këshilltarët Dodevski dhe Bogoevski, shtojnë, është cekur se në pesë vitet e fundit është bërë shumë, kanë filluar proceset evropiane, jo vetëm në pikëpamje të sigurimit të Ligjit cilësor për mbrojtje sociale, por edhe në pikëpamje të problemeve të tjera të këtyre personave, të cilët meritojnë barazi, jetesë të pavarur dhe funksionim në shoqëri. U përmend se posaçërisht po punohet në ndryshimet e Ligjit për punësim, në pjesën e përmirësimit të zgjidhjeve sistematike për punësim të personave me pengesa.

Theksojnë se është arritur marrëveshje që Nisma “Është Koha!” të mbajë takime të rregullta (njëherë në muaj) në përbërjen e njejtë si e sotmja, me atë që në korniza të konsultimeve sektoriale me institucionet e resorit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Nismës nga temat adekuate.

Sipas paralajmërimeve nga Qeveria, në tre deri gjashtë muajt e ardhshëm pritet të realizohet pjesa më e madhe e kërkesave. a