Mickoski në Hungari te Orbani apo te Gruevski? LSDM rrezikon padi tjetër!

Shkup, 4 prill – Derisa partitë politike në vendin tonë japin mbështetje për/marin mbështetje nga partitë dhe liderët demokratik evropian, në vendin tonë ashtu si gati në çdo vend tjetër, doemos do të ketë edhe ndonjë parti e cila mbështetjen do ta gjejë tek liderët jo shumë të dëshiruar për BE-në, por të dashur për popullin e tyre.

Në Bashkimin Evropian, si pjesë e BE-së është edhe shteti i Hungarisë në krye me Viktor Orban i cili si kryeministër qendron që nga viti 2010 ndërsa dje fitoi përsëri zgjedhjet. Viktor Orban edhe pse shpesh herë ka përplasje me liderët tjerë të BE-së, ai për popullin e tij është i dashur. Ai është edhe mik i afërt me ish kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, tani me status azil politik në Hungari, Nikolla Gruevski. Miqësia e tyre është shkrirë më pas përsëri edhe me Hristijan Mickoskin e VMRO-DPMNE-së. Kjo parti njihet shumë e afërt me Viktor Orbanin.

Nuk ka vit ku partia e Mickoskit dhe partia simotër e Viktor Orbanit kanë takime të ndërsjella ndërsa bashkëpunimi dhe mbështetja mes tyre vazhdimisht zhvillohet dhe avansohet.

Suksesi i Viktor Orbanit në Hungari nuk ka të ndalur, ndërsa dje ai fitoi edhe mandatin e katërt me radhë si kryeministër i vendit të tij (gjithsej mandati i pestë). Për këtë jo pak u gëzua dhe Hristijan Mickoski i DPMNE-së i cili dhe i’a uroi fitoren Orbanit, poashtu edhe Aleksandar Vuçiçit në Serbi, i cili korri fitore në zgjedhjet e trefishta (parlamentare, presidenciale dhe lokale), shkruan Zhurnal.

Ajo që mer vëmendjen nga zhvillimet e djeshme në Hungari, ishte se Mickoski dhe nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikolloski dje pritnin rezultatet e fitores në selinë e partisë së Orbanit, si mysafir special.

“Maqedonia ka miq” ka shkruar Mickoski në urimin e tij.

Edhe Nikolloski u gëzua tejmase për fitoren e Orbanit:

“Fitorja e Orbanit është e rëndësishme sepse ai është mik i madh i VMRO-DPMNE-së dhe Maqedonisë, dhe do të bëjë çmos që Maqedonia të përparojë drejt BE-së, drejt një standardi më të mirë jetësor dhe më tepër investime”, ka shkruar Nikolloski.

Viktor Orban armik i Zelenskit dhe mesazh Brukselit

Bashkimi Evropian gjithnjë ka pasur përplasje për çështje të ndryshme me Viktor Orbanin ndërsa së fundmi raportet jo të mira dolën në sipërfaqe edhe me Ukrainën, ku dje pas shpalljes së fitores, Orban e kritikoi Volodimir Zelenskin duke e quajtur atë si kundërshtar. Kjo nga shkaku se Zelenski edhe gjatë kohës së luftës, bënte thirrje që qytetarët hungarez të mos e votojnë Orbanin sepse ai është në një vijë me Putinin.

“Korrëm fitore të madhe, të shihet edhe nga hëna edhe nga Brukseli. Fituam në vitet 2010 dhe 2014 kur na sfiduan, më pas në 2018 kur ishin kundër nesh dhe në 2022 kur të gjithë u bashkuan kundër nesh. Duhet të mësojnë dhe nëse nuk gjejnë përgjigjen, duhet të pyesin Zotin si arritëm këtë rezultat kur të gjithë janë kundër neve”, deklaroi Orban.

Orbani gjithashtu ishte ndër të paktët liderë të botës që nuk pranoi të vendosë sanksione kundër Rusisë, veçanërisht në mos blerjen e gazit dhe naftës, duke u arsyetuar se 90% e familjeve në Hungari ngrohen me gazin rus.

LSDM e inatosur për vizitën e Mickoskit në Budapest

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, përsëri ka reaguar për prezencën e Mickoskit në selinë e Orbanit, duke e shfrytëzuar këtë vizitë për ta akuzuar atë se ka shkuar për udhëzime te “shefi i tij” Nikolla Gruevski.

Të gjithë e dimë se Gruevski ndodhet në Budapest dhe atje është pikërisht falë Orbanit, por me akuzat e saja, LSDM rrezikon përsëri të përfundojë para gjykatës nëse Mickoski vendosë t’i paditë përsëri.

Javën e kaluar Mickoskit iu pranuan dy padi, njëra kundër LSDM-së dhe njëra kundër Integrës.

Mickoski ishte akuzuar nga LSDM se “ai është dorë e zgjatur e kriminelit Nikolla Gruevskit” ndërsa për këtë ishte irituar Mickoski dhe i paditi para gjykatës themelore. Edhe komunikata e djeshme e LSDM-së nuk dallon shumë nga akuzat e mëparshme ndërsa përsëri ka gjasa të përfundojë para trupit gjykues nëse Mickoski përsëri vendosë t’i paditë.

“Hristijan Mickoski si duket ka shkuar për udhëzime të reja te shefi i tij, krimineli i dënuar në ikje, Nikolla Gruevski. Edhe një herë u dëshmua se agjenda e vetme e Hristijan Mickoskit është mbrojtja e krimit të Nikolla Gruevskit”, ka akuzuar LSDM, shkruan Zhurnal.

LSDM nuk duhet të ngutet me deklarime të tilla kundër Mickoskit por edhe kujtdo lideri tjetër, edhe pse e ka kundërshtar politik, sepse fundja, çdo parti politike ka agjendën e saj dhe miqtë e saj.

Fitorja e Orbanit në Hungari dhe fitorja e Vuçiçit në Serbi nuk kanë edhe ndonjë ndikim të madh në agjendën evropiane të Maqedonisë së Veriut. Ato nuk paraqesin pengesë sepse edhe Orban gjithnjë ka qenë “PËR” anëtarësimin e vendit tonë në BE. Sa i përket Nikolla Gruevskit, edhe pse ai është i dënuar me burg këtu në Maqedoni, gjithsesi si çdo i dënuar tjetër me burg që ka të drejtë dikush ta vizitojë, ashtu edhe Gruevski ndoshta ka të drejtë të takohet me bashkëpartiakët e tij.

VMRO-DPMNE do të vazhdojë bashkëpunimin me partitë simotra të Evropës, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk do të ndalet në rrugën e saj drejt BE-së. Orban e Vuçiç nuk do të jenë pengesë në këtë rrugëtim, ndërsa Maqedonia e Veriut duhet të përvjelë mëngët dhe të zgjidhë kontestin me Bullgarinë, e pastaj, dy liderët e lartëpërmendur nëse duan le të qëndrojnë edhe për pesë mandate të tjera në krye të shteteve të tyre.

Maqedonia e Veriut nuk ndryshon dhe nuk do të ndryshojë synimin ndërsa ajo është inkuadrimi në familjen e madhe të Bashkimit Evropian./Zhurnal.mk