Liqenet e Likovës dhe Gllazhnjës të mbushura me 50 përqind të kapaciteteve

Shkup, 3 Prill – Edhe përkundër faktit se dy liqenet artificiale, ai i Likovës dhe Gllazhnjës aktualisht janë të mbushura me kapacitet të përgjysmuar, respektivisht vetëm rreth 50 %, megjithatë nga Ndërmarrja publike e ekonomisë së ujrave “Fusha e Kumanovës dhe Likovës”, thonë se nuk ka vend për panik dhe nuk do të ketë mungesë të ujit për ujë të pijshëm.

Por e njejta nuk mund të thuhet edhe për shfrytëzimin e ujit për ujitje të sipërfaqeve bujqësore, ku realisht priten reduktime.

“Edhe përkundër periudhës së thatë pa të reshura atmosferike gjatë vjeshtës , megjithatë falë reshjeve të fundit  , sasitë  e ujrave të akumuluar  kanë arritur në rreth 14 milion metra kubë ujë. Ky ujë do të mjaftojë për furnizimin e KUmanovës me ujë të pijshëm , por nga ana tjetër si duket do të kemi restrikcione në shfrytëzimin e ujit për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore, kuptohet nëse nuk do të kemi të reshura të reja gjatë pranverës” – na njohtoi drejtori i NP “Fusha e Kumanovës dhe e Likovës“, Oliver Ilievski.

Sipas drejtorit të kësaj ndërmarrjeje, nëse gjatë stinës së pranverës nuk do të ketë të reshura të mjaftueshme të shiut, krizë për ujë mund të presim për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore , ku priten restrikcione, respektivisht ujit mund të shfrytëzohet vetëm dy ditë brenda javës.

Mirëpo mbushje plotësuese e liqeneve me ujë pritet edhe nga shkrirja e borës së fundit që ra para dokohësh në Malësinë e Karadakut.

Ndërkohë nga kjo ndërmarrje njohtojnë se janë duke punuar në mënjanimin e defektit të bajpasit, në të cilin kyçet Ujësjellësi i Kumanovës, me çka do të ndikohet në kursimin e energjisë elektrike.