Struga, 20% më pak popullsi se në regjistrimin e vitit 2002

Strugë, 2 Prill – Struga është ndër qytetet në vend që ka humbur më së shumti popullsi në dy dekadat e fundit. Këtë e tregon krahasimi i të dhënave nga regjistrimi i popullsisë së përgjithshme të numëruar në vitin 2002 dhe popullsisë rezidente të regjistruar vitin e kaluar. Sipas të dhënave në rezultatet e fundit, komuna e Strugës ka 50.980 banorë, që është 12.396 më pak në krahasim me regjistrimin e vitit 2002. Qytetarët thonë se rënia e numrit të popullsisë kryesisht është shkak i migrimit masiv të të rinjve.

“Unë mendoj që shkak për uljen e popullsisë këtu në Strugë është për dy faktor kryesor, faktori më i madh do thoja është migrimi, por edhe ulja e natalitetit për shkak se vet ndryshimi i rrethanave sociale dhe i natyrës së njeriut ka bërë që njerzit sa më shumë të modernizohen ka bërë që të kenë më pak fëmijë.”, tha një qytetare.

“Nuk dua të tingëlloj në aspektin negativ, por shihet që këtu mbizotëron një energji jo shumë e mirë, njerzit ikin, largohen nga vendlindja dhe mendoj se kjo është arsyeja e rënies së natalitetit. Për çdo ditë nëse dilni në pjesën ku nisen autobusët për në Gjermani do të shihni vet situatën që është shumë e keqe.”, u shpreh një qytetar.

“Do ikin njerzit, shkojn për ekzistenc, ska punë, ska asgjë, problemi ai është, njëherë na shtypnin komunistët dhe thonim prej atyre, tash është problemi punës, për bukë, na kan ik çunat na kan ik gjith dhe do ikin edhe ato që kan mbetur.”, tha një qytetar.

“Gjithë jan jashtë, gjithë janë gurbetçarë edhe migrimi edhe ajo e bën të veten, prandaj jan kaq pak, se si të punësohen këtu do jenë më tepër, se edhe papunësia edhe rrogat e dobëta edhe migrimi.”, u shpreh një qytetar.

Ëndrra për një jetë më të bukur dhe më të lumtur e zbraz qytetin e urave. Është një numër i madh, kryesisht të rinj, të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre vitet e fundit. Vendet më të dëshirueshme për t’u larguar janë Gjermani, Zvicra, Austria dhe Italia.