Komisioni historik i kënaqur nga takimi në Shkup, bisedat vazhdojnë në Sofje në muajin Maj

Shkup, 2 prill – Atmosferë pozitive, me dialog të hapur dhe këmbim të qëndrimeve në lidhje me pozitat dhe interpretimet e të kaluarës për shekullin XI dhe XII, është konkluzioni nga takimi i 18-të i Komisionit të Ekspertëve të Përbashkët Multidisiplinar  për Çështje Historike dhe Arsimore ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që u mbajtën dje dhe pardje në Shkup.

Ky ishte takimi  i dyti nga pesë takimet e planifikuara të Komisionit të Përbashkët Maqedono-Bullgar për Çështje Historike dhe Arsimore për këtë vit. Në rend dite ishin vërejtjet nga pala bullgare për periudhën mesjetare për tekstet tona të historisë për klasën e shtatë, pas shqyrtimit të vërejtjeve të Maqedonisë për tekstet bullgare të klasës së gjashtë.

Më herët, anëtarët bullgarë të Komisionit deklaruan se tema e Car Samoilit është e përfunduar dhe se është rënë dakord për një përkujtim të përbashkët, ndërsa për Goce Dellçevin do të diskutohet në një rast tjetër.

Nga ana tjetër, anëtari i Komisionit maqedonas, Petar Todorov, mbrëmë tha se Komisioni i Përbashkët Ekspert Multidisiplinar për Çështje Historike dhe Arsimore mund të japë mendimin e vet ekspert për tema të caktuara që kanë të bëjnë me arsimin historik në të dyja vendet dhe rekomandime të caktuara por jo të vendosë  për problemet politike.

Todorov theksoi se takimi i fundit që u mbajt në dy ditët e kaluara në Shkup dhe ai i mëparshmi në shkurt në Sofje, u zhvilluan në një atmosferë konstruktive. Lidhur me diskutimin për Car Samoilin, ai shtoi se ai diskutim është përfunduar në vitin 2019, me një marrëveshje për përkujtim të përbashkët.

Edhe bashkëkryesuesi i palës maqedonase në Komisionin e përbashkët maqedonas-bullgar, Dragi Gjorgiev, të martën për MIA-n, e vlerësoi punën si pozitive dhe shtoi se nëse vazhdohet kështu,  qëndrimet do të afrohen.

Kryeministri bullgar Kiril Petkov mbetet në qëndrimin se në kohën më të shkurtër Komisioni i Përbashkët Historik do të dalë me rezultate.

Sipas paralajmërimeve, gjatë vitit 2022 duhet të mbahen pesë takime të Komisionit. Deri tani Komisioni Historik u ka dhënë rekomandime qeverive në Shkup dhe Sofje për përkujtim të përbashkët të pesë personaliteteve – Car Samoili, vëllezërit Cirili e Metodi, Shën Klimenti dhe Shën Naum i Ohrit.

Takimi i ardhshëm do të mbahet  në Sofje më 12 dhe 13 maj të vitit 2022.