Trafikimi me qenie njerëzore, 7 nga 10 viktimat të trafikimit janë gra
Shkup, 30 Mars – Në dy vitet e fundit pandemia ka ndikuar në rritjen e trafikimit me qeniet njerëzore. Gratë dhe vajzat janë më të goditura, përkatësisht nga 10 të trafikuar 7 janë gra, derisa një e treta janë fëmijë bëjnë të ditur Kombet e Bashkuara.
Edhe në Maqedoninë e Veriut është rritur numri i viktimave të trafikimit.
Nga 48 raste 39 janë viktima të eksploatimit në punë që është edhe dukuri më e përhapur. Kjo e keqe duhet të luftohet deri në maksimum, duhet të nxirren në pah përfitimet e trafikuesve në kurriz të viktimave, theksoi Magdalena Nestorovska – koordinatore Kombëtare për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe migrimit të paligjshëm.
“Ne duhet të nxjerrim në pah fitimet e mëdha që trafikuesit bëjnë në kurriz të viktimave, por edhe t’u kujtojmë përdoruesve të shërbimeve – çfarë i pret – për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore. Në dy vitet e fundit mësuam se epidemia nuk e ka ndalur trafikimin e qenieve njerëzore, por ka kontribuar që ajo të bëhet një mjedis ideal për rritjen e numrit të viktimave.”,- tha koordinatorja për luftën kundër trafikimit, Magdalena Nestorovska.
“Ne kemi miratuar Strategjinë Kombëtare për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Migrimit të Paligjshëm 2021-2025, Planin Kombëtar të Veprimit për Luftën Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore dhe Migrimit të Paligjshëm 2021-2025 dhe Planin e Veprimit për Luftën Kundër Trafikimit të Fëmijëve. Ne gjithashtu miratuam Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Familje, i cili e përcakton trafikimin e grave dhe vajzave si një formë e dhunës me bazë gjinore.”,- tha Jovanka Trençevska nga MPPS.
“Njëra ndër mënyrat për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore është zvogëlimi i kërkesës për mallra dhe shërbime që vijnë nga puna e detyruar. Nëse duam të parandalojmë trafikimin e qenieve njerëzore, duhet të ndalojmë së paguari për trafikimin e qenieve njerëzore. Qasje të tilla na mundësojnë të mbrojmë të drejtat e njeriut të viktimave.”,- u shpreh përfaqësuesi nga OSBE Villijant Riçi.
“Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin vlerëson se shtatë nga dhjetë viktimat e gjetura globalisht janë gra ose vajza dhe një e treta e tyre janë fëmijë.”,- theksoi shefi i Misionit të OSBE-së, Klemens Koja.
Të dhënat e publikuara nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, tregojnë se më shumë se 40 milionë njerëz janë viktima të skllavërisë moderne.
Vlerësohet se 25 milionë persona janë identifikuar si viktima të shfrytëzimit të punës, nga të cilët 16 milionë janë shfrytëzuar në sektorin privat siç është ndërtimtaria, bujqësia dhe rreth 5 milionë të tjerë janë dhunuar seksualisht.

