Kryetarët e partive politike shqiptare sikurse “mjalta” nuk po u skadon afati


Shkup, 30 mars – Kongresi i dytë zgjedhor i Aleancës për Shqiptarët që nga themelimi, vendosi me 651 vota që edhe njëherë në krye të partisë të jetë kryetari aktual Ziadin Sela, edhe për një mandat 4 vjeçar.

Mirëpo, Kongreset Zgjedhore partiake në vendin tonë në përgjithësi janë vende ku zgjedhjet bëhen apo vetëm konfirmohen vendimet, sipas aktualitetit politik në vendin tonë dyshohet për këtë të dytën, shkruan Zhurnal.

A aq pozitë e mirë është pozita e kryetarit të partisë, që nuk negociohet në shkëmbim të asgjëje, madje sakrifikohet shumë për mos ta lëshuar këtë pozitë. Sakrificat më të shpeshta janë humbje e rënie, dalje e dëshprim anëtarësh, tërmete të brendshme e të jashtme, por sërish kjo karrige e kryetarit të partisë jep ngrohtësi dhe nuk lëshohet lehtë.

Kongreset Zgjedhore partiake, janë shndërruar në simbolika qesharake, më tepër u ngjasojnë lojërave me porosi e marrëveshjeve paraprake ku rezultati dihet para se të luhet loja. Në këta kongrese të mjerueshme ngjashëm veprohet, bile edhe më zi se kaq. Zgjedhja është sinonim i asaj që zgjidhet, mirëpo është e domosdoshme në këtë rast të ketë dy apo më shumë kandidat për të zgjedhur njërin. Kjo dëshmon se gjithçka tjetër mund të quhen, por, asnjëherë kongrese zgjedhore, më shumë përshtati u shkon “Kongrese simbolike”, sepse edhe ashtu nuk zgjedhin asgjë, është një ceremoni simbolike e cila konfirmon vendimet e marra më herët nga kandidati i cili në raste zgjedhjesh është “djal për mall”.

Në historinë e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, është traditë e trashëguar edhe pse askund e shkruar, se po u bëre njëherë kryetar i tillë duhet të mbetesh deri në frymën e fundit. Kjo është e tmerrshme, madje partitë më lehtë ndërrojnë orientimin ideologjik, sesa një kryetar që është alergjik nga pozitat tjera, vetëm i tillë do të mbetet.

Interesante është që zëvendës kryetarët e partive politike që zakonisht janë mbi tre, a do të kishin mundur ndonjëherë ta zëvendësojnë kryetarin, pra, këta të gjorët vetëm figurativisht e tekstualisht janë zëvendës, sepse pos që mund ta zëvendësojnë njëri tjetrin apo njëra tjetrën, kryetarin asesi. “Partitë politike shqiptare prodhojnë kryetar të pa zëvendësueshëm, prandaj edhe këta nuk e lëshojnë këtë pozitë sepse nuk ka kush të vijë pas tyre”.

Mos krijimi i një hapësire për një të dytë pas tyre, shkakton kaos edhe para edhe pas tyre, shumë parti janë ndarë e janë përçarë, disa janë formuar e pa u formësuar veçse janë shkatërruar, krejt kjo si pasojë e këtij mentaliteti të ngulitur se kryetari është i pari pa një të dytë pas tij, shkruan Zhurnal.

Partitë politike shqiptare kanë kryetar që duan të pensionohen si të tillë, madje i ngjasojnë “mjaltës” sikurse nuk u skadon afati asnjëherë. Po e zgjasin jetëgjatësinë në pozita kryetareske edhe nëse partitë janë në “vdekje klinike”.

Ali Ahmeti nga BDI kryetari më jetëgjatë në historinë e shtetit 20 vite në këtë pozitë, pas tij vjen Menduh Thaçi nga PDSH me 16 vite kryetar në këtë parti, i treti në rradh është Bilall Kasami nga Lëvizja Besa me 8 vite në krye të partisë, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët 4 vite në krye të kësaj partie, tani veçse i zgjedhur edhe për një mandat tjetër, dhe Afrim Gashi nga Alternativa 3 vite në krye të partisë e cila është fraksion nga Lëvizja Besa./Zhurnal.mk