Xhaferi – Mekaçi: Roli i OSBE-së është kyçe për mbrojtjen e standardeve demokratike

Shkup, 30 mars – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, sot ka realizuar takim me drejtorin e Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), Mateo Mekaçi.

Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm dhe dialogun aktiv ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe OSBE/ODIHR-së në shumë fusha, dhe mbi të gjitha mbështetjen e vazhdueshme të përpjekjeve tona për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.

Siç kumtuan nga kabineti i kryterait të Kuvendit, Xhaferi theksoi se Maqedonia e Veriut e vlerëson lart rolin e OSBE/ODIHR-së, si platformë kryesore për mbrojtjen e standardeve demokratike në rajonin e OSBE-së dhe se me rëndësi të madhe është monitorimi i proceseve zgjedhore në vend, duke filluar me zgjedhjet parlamentare të vitit 1998. Ai përkujtoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut merr pjesë aktive në punën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së që nga viti 1993 dhe informoi se delegacionet parlamentare kanë marrë pjesë në misionet e kësaj Asambleje Parlamentare për mbikëqyrjen e zgjedhjeve parlamentare në Bullgari të vitit të kaluar dhe se do t’i mbikëqyrin edhe zgjedhjet e ardhshme në Serbi dhe Hungari.

Gjatë takimit, Xhaferi iu referua edhe bashkëpunimit me OSBE-në në forcimin e pavarësisë parlamentare, funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik, si dhe promovimin e barazisë gjinore. Theksoi se është duke u hartuar propozim-ndryshimet e Rregullores së Kuvendit nga aspekti gjinor dhe Kodi Etik për deputetët, për të cilin janë marrë mendimet juridike nga ODIHR-ja.

Lidhur me situatën në Ukrainë, kryetari i Kuvendit vlerësoi se OSBE-ja mund të ofrojë resurse dhe mekanizma për zbutjen e tensioneve dhe rivendosjen e kanaleve të komunikimit për përfundimin paqësor dhe diplomatik të luftës.

Drejtori i ODIHR-it Mateo Mekaçi, theksoi se si ish-deputet dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, me kënaqësi realizon takime me parlamentarë dhe avokatë për bashkëpunim të zgjeruar ndërmjet ODIHR-it dhe Parlamenteve nacionale. Ai shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet ODIHR-it dhe AP të OSBE-së, veçanërisht në fushën e vëzhgimit të zgjedhjeve.

Mekaçi iu referua mendimeve juridike të përgatitura nga ODIHR për Propozim-kodin etik të deputetëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për barazinë gjinore dhe ofroi bashkëpunim në të ardhmen në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Theksoi se ODIHR-i, në suazat e mandatit të tij, mund të shqyrtojë propozim-ligjet për të vlerësuar përputhjen e tyre me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të bëjë rekomandime konkrete për përmirësim.

Kryetari Xhaferi vlerësoi se modeli zgjedhor nuk duhet të ndryshohet pa arritur konsensus dhe theksoi se shumë nga rekomandimet e ODIHR-it tashmë janë implementuar në ndryshimet e mëparshme të Kodit Zgjedhor.

Në fund të takimit, Xhaferi dhe Mekaçi shprehën gatishmërinë për të vazhduar dialogun e hapur dhe bashkëpunimin e frytshëm, veçanërisht në kontekstin e kryesimit tonë në OSBE në vitin 2023.