Mariçiq: Presim BE-ja të na i hapë dyert, edhe pse nuk kemi dilema në cilën rrugë duhet të mbetemi
Shkup, 30 mars – Ne si Qeveri nuk kemi dilema se në cilën rrugë duhet të qëndrojmë, por presim që BE-ja t’i hapë dyert për fillim të negociatave, në mënyrë që ajo perspektivë dhe ai përcaktim të marrë shprehje akoma më të fuqishme, deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup me ministren federale austriake për BE dhe çështje kushtetuese, Karoline Edshtadler, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në vendin tonë.
“Ne në ditën e parë të fillimit të luftës në Ukrainë dhe agresionit të Putinit iu bashkangjitëm sanksioneve të BE-së dhe në atë mënyrë njëqind për qind, tërësisht, si shtet-kandidat u harmonizuam me politikat e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri. Ai nuk ishte vetëm obligim i ynë si shtet kandidat, por edhe zgjedhje me të vërtetë serioze politike dhe morale në këtë situatë të qëndrojmë në anën e Ukrainës. Në përgjithësi, ai vendim nuk është i lehtë, duke pasur parasysh ndikimin e Rusisë edhe përmes resurseve edhe përmes energjensëve dhe përmes tërë asaj që e ka si ndikim këtu. Por, ne si shtet anëtar i NATO-s dhe si shtet i cili qartë është përcaktuar edhe për anëtarësim në BE, nuk kemi dilema se në cilën anë duhet të qëndrojmë”, deklaroi Mariçiq duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve se çfarë pasoja po pëson vendi nga lufta në Ukrainë.
Ai theksoi se, për fat të keq, Rusia ka aktivitete në Ballkanin Perëndimor dhe kjo nuk është e fshehtë, ndërsa MPJ-ja jonë pesë diplomatëve rusë ua ndërpreu qëndrimin këtu gjatë kësaj jave. Ai konsideron se stabiliteti dhe siguria e Ballkanit janë drejtpërdrejtë të lidhura dhe çdoherë ishin të lidhura me perspektivat për anëtarësim në BE. Unioni është, thotë Mariçiq, fuqi mbajtëse edhe për reformat edhe për ndryshimet, por edhe për zgjidhje të çështjeve të vështira të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe çështjet bilaterale të cilat ne si Maqedoni e Veriut i patëm me Greqinë dhe tani i kemi me Bullgarinë.
“Ne si Maqedoni e Veriut përfituam status të kandidates së bashku me Kroacinë në vitin 2005 dhe pritnim së bashku t’i fillojmë negociatat. Kroacia tashmë nëntë vite është anëtare e BE-së, ne ende presim t’i fillojmë negociatat. Prandaj konsiderojmë se ndryshimet pozitive mund të vazhdojnë vetëm nëse perspektiva për anëtarësim në BE është reale, dhe qytetarët mund ta njohin si të vërtetë. Ne si Qeveri nuk kemi dilema se në cilën anë duhet të qëndrojmë, por presim që BE-ja t’i hapë dyert për fillim të negociatave në mënyrë që ajo perspektivë dhe ai përcaktim të marrë shprehje akoma më të fuqishme”, shtoi Mariçiq.
Sipas Edshtadler, pas vendimit në mars të vitit 2020 në Këshillin e BE-së Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet ta bëjnë hapin e ardhshëm në procesin e inkuadrimit, e ai është mbajtja e konferencës ndërqeveritare. Ajo thotë se e kupton zhgënjimin e vendit nga kjo se sërish ka raund të negociatave dhe se ka kërkesa bilaterale.
Sipas saj, temat bilaterale duhet të zgjidhen dhe “diçka duhet të ndodhë” madje që gjatë kryesimit francez, me qëllim që popullatës të mos i jepet ndjenja se Evropa vetëm flet dhe bisedon, por edhe se është këtu edhe gjatë pandemisë.
“Atë e bëmë me dërgimin e vaksinave, me dërgesë të medikamenteve. Ajo ishte shenjë e rëndësishme kur ka kriza në rajon, por ajo nuk mund të gënjejë se ja, kaluan dy vite, ndërkaq ka stagnim në procesin i cili duhet të ndërpritet. Dhe unë këtu dëshiroj banorëve të Maqedonisë së Veriut t’u them – besoni edhe më tej tek BE-ja, ne do të angazhohemi të bëhet hapi i ardhshëm”, porositi Edshtadler.
Sipas saj, me rëndësi është që, në situatën kur lufta agresive ruse në Ukrainë është në hovin e saj, të mos ketë ndarje të shoqërive tona jo vetëm këtu në Ballkanin Perëndimor, por edhe në BE.
“Atë nuk guxojmë ta lejojmë, atë nuk do ta lejojmë dhe prandaj kjo dritare e mundësisë e cila tani hapet do ta shfrytëzojmë dhe këtu dëshiroj të them në mënyrë të qartë – BE-ja nuk është e plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor dhe posaçërisht Maqedoninë e Veriut. Ajo bëri shumë në të kaluarën për të dëshmuar se vullneti është këtu. Tani na mbetet neve të themi se ne jemi në gjendje premtimet tona t’i mbajmë. Dhe në atë kuptim, unë me të vërtetë, në bisedimet bilaterale mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, dëshiroj që të ketë siguri edhe për ne në BE”, tha ministrja federale austriake.
Lidhur me negociatat me Bullgarinë ajo përsëriti se është më optimiste pas bisedimeve me kryeministrin bullgar Petkov në shkurt dhe posaçërisht pas takimeve dhe bisedimeve bilaterale të grupeve të punës mes dy vendeve dhe përpjekjeve që po bëhen për t’u zgjidhur çështjet.

