KSI rekomandon heqjen e maskave në shkollat e mesme
Shkup, 30 mars – Komisioni për sëmundje infektive në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur të japë rekomandim për heqjen e masës për mbajtjen e maskave për nxënësit në shkollat e mesme dhe të mundësohet organizimi i ekskursioneve për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, deklaroi zëdhënësi i Komisionit, Zllate Mehmedoviq.
Ai potencoi se ende vlejnë rekomandimet që arsimtari dhe kuadroja teknike të mbajnë maska.
“Për heqjen e masave tjera do të presim edhe një javë. Gjendja epidemiologjike ka trend të uljes së numrave të të infektuarve dhe të hospitalizuarve”, tha Mehmedoviq.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve tha se nxënësit apo prindërit që konsiderojnë se fëmijtë e tyre akoma duhet të mbajnë maska, mund të mbajnë, pa marrë parasysh asaj që shfuqizohet masa e detyrueshme.
Në lidhje me procesin e vaksinimit, ai tregoi se duhet akoma të punohet në këtë drejtim, të nxiten qytetarët të vaksinohen. Shpesh, theksoi mjeku Mehmedoviq, i përcjellim këto mesazhe përmes televizionit për të ngrit përqindjen e vaksinimit që të mund të kalojmë në shoqëri më të lirë dhe të kthehemi në atë para vitit 2019.
Mehmedoviq theksoi se qytetarët duhet të presin për shfuqizim të plotë të masave, ai nënvizoi se Komisioni për Sëmundje Infektive ka funksionuar pak më ndryshe se komisionet në vendet e ndryshme.

