Detajet e para nga takimi i delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Turqi – paraprakisht dy kryetarët e tyre zhvilluan një takim kokë më kokë

Një raund i ri i bisedimeve të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës, i ndërmjetësuar nga Turqia, ka nisur të martën në Stamboll.

Sipas mediave turke, përcjell Telegrafi, bisedimet dyditore të paqes po zhvillohen në zyrën presidenciale në Dolmabahçe.

Seanca e parë për ditën filloi në orën 10:30 me orën lokale ndërsa negociatorët rusë dhe ukrainas mbërritën në Stamboll të hënën.

Përpara bisedimeve, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, përsëriti thirrjen e tij për një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa agresioni ka hyrë në muajin e dytë.

“Ne besojmë se një paqe e drejtë nuk do të ketë humbës dhe një konflikt i zgjatur nuk është në interesin e askujt”, u tha Erdogan negociatorëve rusë dhe ukrainas.

Më herët, presidenti turk tha se bisedimet telefonike me homologët e tij ukrainas dhe rusë po vazhdojnë në një “drejtim të favorshëm”.

Para bisedimeve, kryetarët e delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë, David Arakhamia dhe Vladimir Medinsky, zhvilluan një takim kokë më kokë.

“Delegacionet po punojnë paralelisht në të gjithë spektrin e çështjeve të diskutueshme”, shkroi në Twitter Mykhailo Podoliak, këshilltar i presidentit ukrainas dhe kryenegociatori i Kievit në bisedimet e paqes me Rusinë, duke shpërndarë një foto nga takimi.