Ekspertët: Investimet e huaja të trumbetuara nga Qeveria Kurti pa efekt të dukshëm në ekonomi
Rritja e investimeve të huaja në Kosovë, që trumbetohet nga kryeministri Albin Kurti, nuk ka pasur efekt të vërejtshëm në ekonomi, thonë ekspertë të kësaj fushe.
Kurti, pas shënimit të njëvjetorit të qeverisjes, më 22 mars, ka thënë se ky ka qenë viti i “zhvillimit ekonomik dhe i investimeve”.
“Investimet e Huaja Direkte, krahasuar me vitin 2020, janë rritur për 21.8 për qind, ndërsa krahasuar me vitin 2019, për 65 për qind”, ka thënë Kurti.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, këto investime në vitin 2021 kanë pasur vlerën e 421 milionë eurove – krahasuar me 345 milionë euro në vitin 2020 dhe 254.8 milionë euro në vitin 2019. Nga shuma e investuar vitin e kaluar, 383.9 milionë euro kanë shkuar në sektorin e patundshmërisë.
Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Kosovës, Ismet Mulaj thotë se sektori i patundshmërisë sjell më së paku efekte në zhvillimin ekonomik dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.
“Nuk mund të mburremi që kemi Investime të Huaja Direkte në Kosovë. Investimet që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe gjenerojnë vende të punës janë në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve. Këta janë sektorë strategjikë, ku Kosova ka interes të tërheqë investitorë”, thotë Mulaj për Radion Evropa e Lirë.
Por, sektori i prodhimit në Kosovë është ndër më të pazhvilluarit. Kosova është importuese e pothuajse të gjitha produkteve. Në vitin 2021, vlera e mallrave të eksportuara ka arritur në rreth 750 milionë euro, ndërsa e importeve në mbi 4.5 miliardë euro.
Kryetari i Odës së Afarizmit në Kosovë, Skënder Krasniqi thotë se mungon oferta, si për investitorët e huaj, ashtu edhe për ata vendorë.
“Ndryshe nga çka deklarojnë institucionet e Kosovës është gjendja në terren. Kemi investitorë që janë të interesuar të investojnë në Kosovë, [por] mungesa e një ofertë reale, mungesa e vendosmërisë për infrastrukturë ligjore dhe sigurisë për investitorët, bën që ata të mos vijnë në Kosovë”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, këto investime në sektorin e patundshmërisë i atribuohen kryesisht diasporës së Kosovës, e cila, siç thotë, investon shuma të mëdha parash në ndërtimin e shtëpive dhe në blerjen e apartamenteve.
Nga të dhënat e BQK-së, Gjermania është shteti me më së shumti Investime të Huaja Direkte, e pasuar nga Zvicra. Këto njëherësh janë dy shtete, ku jeton numri më i madh i qytetarëve nga Kosova.
Ekspertët thonë se ndikim në zhvillimin ekonomik dhe në hapjen e vendeve të reja të punës kanë investimet në sektorin e shërbimeve, në sektorin e bujqësisë, në sektorin energjetik, në miniera, në transport dhe telekomunikacion, si dhe në turizëm.

