A do të ketë pasoja Maqedonia për shkak të mbështetjes që ia jep Ukrainës? Flet Maleski

Shkup, 26 mars – Invazioni rus mbi Ukrainën është konfrontimi më i madh ushtarak pas Luftës së Dytë Botërore dhe është posaçërisht i rrezikshëm, sepse u ashpërsuan marrëdhëniet midis fuqive nukleare, thotë në një intervistë për „Vërtetëmatësin” Denko Maleski, profesor dhe ministri i parë për punë të jashtme në Maqedoninë e pavarur.

Në pyetjen se Si do të jenë marrëdhëniet ruso-maqedonase në periudhën në vijim? A do të ketë pasoja Maqedonia për shkak të mbështetjes që ia jep Ukrainës, por edhe për shkak të asaj që pak kohë më parë u bë anëtare e NATO-s?

Maleski: “Si vend anëtar i aleancës së NATO-s ne jemi me aleatët. Një vend i vogël si Maqedonia e ka të domosdoshme të demonstrojë lojalitet ndaj aleancës së saj dhe kjo sigurisht që do të ketë çmimin e vet në marrëdhëniet me Rusinë. Shikuar në mënyrë abstrakte, më mirë është të kemi marrëdhënie të mira me Rusinë, me Kinën dhe me të gjithë botën, por në këtë moment kur situata është kështu e ashpërsuar ne jemi në aleancë më të gjitha vendet e tjera anëtare të NATOs dhe e ndjekim atë politikë të përbashkët.”

Çfarë pasojash mendoni se do të ketë kjo situatë mbi vendet e Ballkanit Perëndimor?

Maleski: “Ky invazion i shkaktoi jo vetëm Ballkanit por edhe Evropës diçka që me siguri Putini nuk e ka llogaritur mirë. Në vend të përçarjes, shkaktoi unitet. Vendet evropiane shumë shpejt, në katër ditë ndërtuan një sistem sanksionesh, shpejt u dakorduan me SHBA-të, gjë që nuk ka ndodhur më parë, u mobilizuan. Mendoj se e gjithë kjo mund të reflektohet edhe këtu, sepse forcohet kohezioni ndaj aleancës. E tani, parashtrohet pyetja se çfarë ndikimi do të ketë kjo mbi problemin tonë me një anëtare tjetër të NATO-s, Bullgarinë. Do kisha pritur që në problem të këtillë politikat e dy vendeve të bëhen më fleksibile në drejtim të zgjidhjes. Kjo do të reflektohet mbi të gjitha vendet e vogla dhe kjo nuk është shumë në favor të Rusisë. Kosova së fundmi kërkonte pranim të shpejtë në NATO, nga Bosnja dëgjohen kërkesa të tilla të njëjta edhe nga etniteti musliman edhe nga ai kroat. Serbia është vendosur para zgjedhjes së kësaj apo asaj ane dhe edhe ajo tashmë sikur po lëshon pe në raport me politikën e saj të qëndrimit në dy karrike, atë ruse dhe atë evropiane. Tashmë presioni është i madh, ato e dijnë se si shtet e ardhmja e tyre është në Evropën e integruar, ndërsa Rusia është gjithsesi larg.”