Ja pse Maqedonia e Veriut e ka detyrim moral ta njohë veprën e Madeleine Albright

Ish-diplomatja amerikane dhe njohësja e çështjeve ndërkombëtare, Madeleine Albright, ka vdekur në moshën 84-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin. Madeleine Albright u emërua Sekretare e Shtetit në vitin 1996 nga presidenti Bill Clinton, një post që ajo e mbajti për katër vjet. Në atë kohë, ajo ishte gruaja me pozitën më të lartë politike në historinë e qeverisë amerikane, shkruan Zhurnal.

Albright konsiderohej një diplomate e drejtpërdrejtë dhe e mprehtë që nuk ngurronte të shprehte mendimin e saj. Ajo ishte në ballë të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë dhe vendimit për bombardimin e Jugosllavisë së atëhershme.

Ajo çmohet jashtëzakonisht shumë nga gjithë anët e botës, sidomos nga shqiptarët. Nuk mund të jesh demokrat e shpirt i lirë e të mos e simpatizosh zonjën e hekurt- Albright.

Shpërndarja e lajmit në rrjetet sociale për ndarjen nga jeta të “Zonjës sekretare” ka vë në dukje urrejtjen e një numri të konsiderueshëm të maqedonasve ndaj saj. Kjo çështje ngre dilema: të njëjtit nuk e duan Albright për shkak serbofilisë, apo e urrejnë atë veçse ishte “engjulli mbrojtës” i shqiptarëve?!

Në hamendjen e mësipërme mund edhe të mos insistojmë për përgjigje konkrete se do hapte edhe shumë pyetje e të panjohura të tjera. Por, të kujtojmë sa ishte politika e Albright e dobishme për demokracitë, veçanërisht në Maqedoninë e Veriut.

Zonja Albright ishte kategorike se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin angazhimin e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe të punojnë më ngushtë me BE-në këtu. Ajo kishte ndarë hapësirë në paraqitjet e saj për të kritikuar edhe qasjen e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut.

“Administrata e ardhshme e Shteteve të Bashkuara duhet të mbështesë zhvillimin demokratik të Ballkanit Perëndimor. Shpresoj se ata do të kenë një partner në administratën e Biden. Ai ishte i angazhuar në Ballkan për t’i dhënë fund konfliktit. Ekipi që ai ka propozuar është shumë profesional dhe mund të ndihmojë vendet të ruajnë paqen,” pati thënë Albright.

Madeleine Albright në dhjetor 2020, para Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA tha:

“Mendoj se është një tragjedi e madhe që pas një kohe të gjatë të shpenzuar për zgjidhjen e çështjes së emrit me grekët, bullgarët, për të fituar pikë në skenën e brendshme politike, kanë bërë kërkesa të tilla për Maqedoninë e Veriut”

Albright shtoi se pyetja tani është se si Bullgaria po i përmbush detyrimet e saj ndaj BE-së. Ajo tha gjithashtu se strategjia e SHBA-së duhet t’u ofrojë ndihmë vendeve në procesin e reformave, por edhe të bëjë presion ndaj atyre që nuk i zbatojnë reformat.

Të pakët, mund t’i numërojmë vetëm me gishtat e njërës dorë ata të cilët vlerësuan drejtë veprimtarinë politike të Madeleine Albright. Ivon Veliçkovski nga Partia Liberale vlerëson se maqedonasit do t’i jenë mirënjohës Madeleine Albright për rolin e saj në rajon. Sipas Veliçkovskit, reagimi nga Maqedonia duhet të jetë i favorshëm.

“Sot, kur rrjetet sociale nxjerrin në pah të zezë e brezave të privuar nga gjumi idilik i një federate njëzet milionëshe, është koha të përballemi me faktet. E arratisura çekosllovake nga Lufta e Dytë Botërore e donte gjithashtu atdheun e saj të ri, Shtetet e Bashkuara, dhe sistemin post-sovjetik të parandalimit të së keqes të kleptoautoritarizmit nazist dhe (post) sovjetik. Kjo është baza e drejtimit të saj politik. Në Ballkan, ajo nuk është fajtore për mizoritë e Millosheviqit dhe hordhive të tij nga Kroacia, nëpërmjet BeH-së në Kosovë. As për Marrëveshjen e Dejtonit. Aq më pak për krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës, me të cilin represioni është zëvendësuar me një shtet të lirë, që tash ka lirinë e zgjedhjes. Për sa i përket NATO-s, nuk është fajtor për qëllimin e arritur të Polonisë, Republikës Çeke dhe Hungarisë për të qenë pjesë e Aleancës. As si ambasadore në OKB, as si Sekretare Shteti.

Por ajo do të kishte qenë fajtore nëse do të kishte penguar këto momente dhe vendime historike. Sepse pa to, Ballkani Perëndimor dhe Evropa Lindore sot do të mbeteshin vetëm një oborr për agresionin në Ukrainë. Qëndrimi pa kompromis ndaj gjenocidit të Srebrenicës dhe parandalimi i të njëjtave imazhe në Kosovë penguan lumenjtë e gjakut në Ballkan. Dhe në Maqedoni. Pa një angazhim të fortë amerikan (dhe të koordinuar evropian), 2001 do të kishte zgjatur ende. Ose, Shkupi dhe Mitrovica e Kosovës do të kishin të njëjtin fat. Le të vlerësojmë dhe nderojmë ata që na ndihmuan pa detyrim, sepse menduan se ishte e drejtë të jetojmë ëndrrën në vend. Politikanët në Maqedoni dhe veçanërisht politikanët maqedonas kanë detyrim moral që ta njohin këtë”, shkroi Veliçkovski.