Mbrojtja e krerëve të UÇK-së në Hagë thotë se prokuroria po i fsheh provat shfajësuese

Në konferencën mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, mbrojtja e të akuzuarve ka kritikuar prokurorinë për mos nxjerrje të provave shfajësuese.

Duke folur për materialet e rregullës 103 që përfshinë provat shfajësuese, avokati i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe ka thënë se ekzistojnë dokumentet nga institucionet amerikane që tregojnë se UÇK-ja nuk ka qenë e përfshirë në aktivitete terroriste.

“Po i kthehem një komenti të ZPS-së lidhur me komentin e tyre për materialet e rregullës 103 (2), ishte një letër nga Departamenti Amerikan i Shtetit që i drejtohej kryetarit të Komitetit të punëve të jashtme ku është thënë që nuk ka pasur ndonjë kontroll komandë efikase të UÇK-së në Kosovë. Dhe përgjigja e tyre ishte ne i kemi kontrolluar ato dosje dhe është aty. Ata kanë bërë kërkesa drejtuar qeverisë amerikane, ka vite që e bëjnë këtë dhe nuk kanë bërë asnjë kërkesë për asnjë dokumentacion që cenonte kredibilitetin e hetimit të tyre dhe thonë se nuk i kanë pasur. E di njeri këtë gjë, që ata kanë kërkuar dokumente nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i di njëri dokumentet e tyre, është marrë ndonjë vendim që nuk duan t’i marrin këto dokumente, është shkelje e rregullës 103 dhe nuk është i vetmi dokument”, ka thënë ai.

Avokati Kehoe ka përmendur edhe një raport të CIA-s, i cili sipas tij tregon se UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste.

“Është edhe një raport i CIA-s i 3 janarit 2000, CIA publikisht i drejtohet Kongresit në rastin e diskutimit të një projektligji për buxhetin. Shtetet e Bashkuara konstatuan, thotë këtu, që udhëheqja e UÇK-së duket se nuk është angazhuar në operacione narkotike për të mbështetur aktivitetet e veta gjatë luftës. Kjo ka ardhur nga agjencia e zbulimit amerikan, kanë thënë gjithashtu që UÇK-ja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste të përcaktuara si dhunë e paramenduar e kryer kundër objekteve jo luftarake. Pra, thonë që nuk e dinë këtë raport, ku thuhet se nuk ka pasur trafikim dhe udhëheqja nuk është përfshirë në aktivitete terroriste. Përsëri po ndjekim një qasje, mirëpo se çka do të thotë materialet e rregullës 103. Këtu duhet ta japim horizontin tonë me atë që është material i rregullës 103 dhe testi do të duhej të ishte nëse do t’ua cenonte çështjen aty, ata duhet të na japin neve këto materiale, ky është shqetësimi ynë. Është shqetësim që duhet rregulluar që ky informacion duhet dorëzuar menjëherë e jo të pritet 16 muaj e pastaj të dorëzohet”, ka thënë avokati Kehoe.

Deklaratat e mbrojtjes së Thaçit, prokurorja i ka quajtur spekulative.

“Parashtrimet e mbrojtjes së Thaçit sa i takon kontakteve me qeverinë amerikane dhe shkalla e bashkëpunimit apo materialit që mund të kemi marrë është tërësisht spekulative, nuk ka absolutisht asnjë bazë të mendosh se ZPS ka qasje apo ka në zotërim dokumentacione ashtu siç sugjeron ajo mbrojtje”, ka thënë përfaqësuesja e ZPS-së.

Lidhur me këtë ka reaguar avokati Kehoe, i cili ka thënë se ZPS-ja në vazhdimësi i ka bërë kërkesa qeverisë amerikane lidhur me strukturën e UÇK-së.