Petrovska në NATO mbledhje të jashtëzakonshme ministrore në Bruksel: Janë dërguar tre porosi kyçe

Shkup, 16 mars – Ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të ministrave të mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, ku tema kryesore për diskutim ishin invazioni rus në Ukrainë dhe ndikimi i tij ndaj infrastrukturës evropiane të sigurisë, si dhe mbrojtja e anëtarëve të NATO-s.

“Nga mbledhja e jashtëzakonshme e ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s, Aleanca dërgon tre porosi kyçe – se bota po bashkohet në dënimin e luftës, se NATO-ja vazhdon me përkrahjen për Ukrainën në mbrojtjen e tyre me ndihmën për popullin ukrainas dhe për të gjithë refugjatët dhe se detyra kyçe e NATO-s është mbrojtja e aleatëve dhe për këtë qëllim janë sistemuar forca shtesë të NATO-s përgjatë pjesës lindore të Aleancës”, deklaroi ministrja Petrovska pas mbledhjes së Këshillit veriatlantik.

Siç kumtoi Ministria e Mbrojtjes, në mbledhjen në kuadër të sesionit të parë punues, i cili u mbajt së bashku me Ukrainën, Gjeorgjinë, Finlandën, Suedinë dhe Bashkimin Evropian, ministrat e Mbrojtjes të NATO-s e konfirmuan dënimin e fuqishëm për sulmin e paprovokuar dhe të paarsyeshëm të armatosur të Rusisë ndaj Ukrainës dhe ndaj rendit ndërkombëtar. Në mënyrë shtesë, është shprehur përkrahje e fuqishme për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, si dhe kërkesë për tërheqjen e e të gjitha formacioneve të armatosura nga Rusia dhe vendosjen e paqes. NATO anëtaret dhe partnerët vazhdojnë të sigurojnë përkrahje për Ukrainën dhe t’i pranojnë refugjatët.

Në sesionin e dytë punues, pa dyshim u konfirmua përkushtimi i NATO-s si aleancë mbrojtëse, me parimin kyç, e ai është mbrojtja e të gjitha vendeve anëtare. Të gjitha masat dhe aktivitetet që ndërmerren, paraqesin pjesë nga mbrojtja e Aleancës dhe në këtë kontekst u konfirmua pajtueshmëria për prani të përforcuar të forcave të NATO-s në pjesën lindore të Aleancës”, qëndron në kumtesë.