351 ukrainas marrin mbrojtje në Shqipëri
Pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë, në vendin tonë po strehohen dhe kanë marrë mbrojtje të përkohshme 351 ukrainas. 14 prej tyre kanë kërkuar statusin e azilantit. Të dhënat u bënë të ditura nga ministri i brendshëm i cili pati një takim me ambasadorin ukrainas.
351 ukrainas kanë marrë mbrojte të përkohëshme nga shteti shqiptar që prej nisjes së luftës. Shifrën e konfirmon ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, i cili zhvilloi një takim me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov.
BLEDI ÇUÇI MINISTËR I BRENDSHËM
Ambasadorin e garantova që shtetasit nga Ukraina do të kenë mbrojtje të përkohshme sipas kuadrit të plotë ligjor që ne kemi për azilin. Të tjera masa lehtësuese për hyrjen dhe qëndrimin e tyre do të miratojmë në vijim nëse është e nevojshme, për t’ju gjendur pranë atyre që largohen nga konflikti.
Ministri Çuçi theksoi qasjen solidare të Shqipërisë për njerëzit që largohen nga vendi i tyre për shkak të konfliktit.
BLEDI ÇUÇI MINISTËR I BRENDSHËM
“Shqipëria është një shembull shumë domethënës kur është fjala te solidariteti dhe pritja e njerëzve në nevojë. E dëshmuam këtë edhe së fundmi me afganët që strehuam në vendin tonë dhe po kështu do të bashkërendojmë përpjekjet me vende të tjera të BE-së për t’ju gjendur pranë popullit të Ukrainës në këto kohë të vështira”.
Qytetarët e Ukrainës mund të hyjnë në Shqipëri pa vizë dhe të qëndrojnë një vit pa patur nevojën e leje qëndrimit. Sipas burimeve mësohet se nga data 24 shkurt e këtij viti, kanë hyrë në Republikën e Shqipërisë 958 ukrainas dhe kane dalë 607 prej tyre. Nga 351 ukrainas që po qëndrojnë në vendin tonë kanë kërkuar azil 14 persona. Kërkesat e tyre nuk janë trajtuar ende, pasi momentalisht është pezulluar procedura, për te vijuar me mbrojtjen e përkohshme./KlanMacedonia/

