Puna dhe marrëdhëniet e punës fusha më e zakonshme e diskriminimit

Shkup, 15 mars – Në gjithsej 40 raste nga 167 ankesa të trajtuara nga Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi në vitin 2021, është konstatuar diskriminim. Baza më e zakonshme për diskriminim ishte gjendja personale dhe statusi social, shumica e ankesave janë nga Shkupi, ndërsa më së shpeshti si diskriminues paraqitet sektori publik, tregon Raporti i parë vjetor për Mbrojtje dhe Diskriminim i KPMD-së.

Në raportin e parë vjetor t[ Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi janë paraqitur të gjitha të arriturat dhe aktivitetet e realizuara në vitin 2021 me qëllim të përmbushjes së kompetencave dhe obligimeve që dalin nga Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Kryetari i KPMD-së, Kire Vasilev, tha se ajo që duhet të bëjnë tani është të monitorojnë nëse ato rekomandime do të zbatohen, nëse nuk zbatohen, siç tha ai, do të duhet të zhvillojnë procedurë kundërvajtëse. Kryetari theksoi se duhet të përhapin fjalën për ekzistimin e Komisionit.

Konkluzioni i përgjithshëm, siç tha Ismail Kamberi, nënkryetar i Komisionit në prezantimin e sotëm të Raportit, është se besimi i qytetarëve tek institucioni është rikthyer, krahasuar me vitet e kaluara, numri i ankesave është trefishuar.

Në vitin 2021 jemi duke punuar me rreth 167 ankesa, që është një numër i madh krahasuar me mesataren prej 60 ankesash në vit në vitet e kaluara”, tha ai.

Përveç 40 rasteve në të cilat është konstatuar diskriminim, në 39 është konstatuar se nuk ka bazë për të. Për 10 ankesa Komisioni ka miratuar konkluzion për mosveprim, mosbindje apo pezullim të procedurës, ndërsa 41 ankesa janë refuzuar për shkak të konstatimit të moskompetencës, çrregullimit, vjetërsimit dhe papranueshmërisë.

Shumica e ankesave për të cilat Komisioni ka vepruar në vitin 2021 janë dorëzuar në Shkup (92), pasuar nga Manastiri (7), Prilep (7), Shtip (6), Kumanovë (5), etj.

Irfan Deari, anëtar i Komisionit, i ndau rekomandimet e përgjithshme të miratuara nga Komisioni në fushën e barazisë dhe anti-diskriminimit, përkatësisht monitorimit dhe zbatimit të tyre.

“Në vitin 2021, Komisioni miratoi rekomandimet e mëposhtme të përgjithshme: një rekomandim të përgjithshëm që synon mbrojtjen dhe qasjen në imunizimin për personat me aftësi të kufizuara në kushte pandemie; një rekomandim i përgjithshëm për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe dinjitetit të personave me aftësi të kufizuara që vuajnë dënim, dhe respektimin e integritetit fizik dhe mendor të tyre gjatë vuajtjes së dënimit në institucionet ndëshkuese-korrektuese”, tha Deari.

Ndër rekomandimet e përgjithshme janë rekomandimet për zbatimin e dispozitave të Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në legjislacionin vendas përkatës që garanton dhe promovon të drejtat dhe liritë e njeriut për të gjithë personat me aftësi të kufizuara pa asnjë diskriminim në këtë drejtim.

Deari theksoi se Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në prill të vitit 2021 ka përgatitur opinionin e parë profesional që nga ekzistenca e tij.

“Në bazë të nenit 21 të Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Komisioni ka përgatitur opinionin profesional për propozimin për vendosjen e kategorisë së përkatësisë etnike në letërnjoftime, që është në propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për letërnjoftime.