OEMVP: Ngrirja e marzhës është e dëmshme për ekonominë

Shkup, 11 mars – Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore, pas analizave të bëra erdhi në konkluzion se ngrirja e marzhës tregtare është e dëmshme për ekonominë e vendit në këtë periudhë krize, dhe nga analiza rezultoi që është e domosdoshme të largohen nga lista e produkteve të ngrira me vendim të qeverisë kripa, pemët dhe perimet.

Marrë parasysh krizën në të cilën vendi ynë gjendet, OEMVP reagoi drejtë Vendimit për kushte të veçanta për tregtinë me mallra të caktuara, i cili hyri në fuqi më 1 Mars 2022, ku produkteve bazë të ju ngrihet çmimi bruto, duke mos u mundësuar bizneseve të i përllogarisin kostot logjistike dhe operative mbi ato produkte, me çka detyroheshin të punonin me humbje.

Për të evituar mungesën e atyre produkteve në treg, Përfaqësues të OEMVP-së në takimin e zhvilluar me Ministrin e Ekonomisë z. Kreshnik Bekteshin, shpalosën qëndrimet që ky vendim të ndryshon Nenin 1 të këtij vendimi, gjegjësisht të bëjë ngrirjen e marzhit të fitimit e jo të marzhit tregtar. Po ashtu u kërkua që të largohen nga lista e produkteve, kripa, pemët dhe perimet.

Po ashtu në këtë takim, biznesi shpërfaqi mirëkuptim mbi situatën që ka kapluar, dhe u pajtuan që buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë, Vaji i farave të lulediellit për konsum dhe mielli i grurit të llojit 400 të shiten pa marzhë të fitimit në tregtinë me pakicë.

OEMVP vlerëson gatishmërinë e ministrit Bekteshi dhe qeverisë për bashkëpunim dhe për evitim të çfarëdo pengese e cila mund të shkaktojë dëme tek biznesi, qytetarët dhe ekonomia në përgjithësi.

Partneriteti i resorëve ekonomik dhe Qeverisë me biznesin është i domosdoshëm dhe është mënyra e vetme drejtë zhvillimit të sigurt ekonomik social të vendit tonë.

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore