Deklaratat e Lavrov të Rusisë, pas takimit me homologun e tij ukrainas – në Antalia të Turqisë

Sergei Lavrov, ministri i jashtëm i Rusisë, ka bërë të ditur se ai diskutoi çështje humanitare me homologun e tij ukrainas, duke përfshirë atë që “trupat po bëjnë për të mbrojtur civilët”.

Por, sipas mediave të huaja, Lavrov akuzoi gjithashtu “nacionalistët” ukrainas për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.

Ministri tha gjithashtu se janë diskutuar korridoret humanitare në Ukrainë, duke shtuar se ato rrugë janë duke u përcaktuar nga ekipe nga secili vend.

Furnizimi me ushqime dhe stabiliteti i çmimeve në Evropë ishte gjithashtu në agjendë, u tha ai gazetarëve.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga BBC nëse një armëpushim do të ishte i mundur, Lavrov tha se “operacioni special ushtarak” do të vazhdojë dhe se Vladimir Putin thotë se strategjia e tij do të planifikohet.

Kryediplomati rus tha gjithashtu se duke i ofruar ndihmë mbrojtëse Ukrainës, Perëndimi “po sillet në mënyrë të rrezikshme”.

“Ne nuk e sulmuam Ukrainën”, pretendon ai, duke shtuar se “Rusia po kërcënohej dhe duhej të mbronte rajonet e Donetsk dhe Luhansk, të cilat Rusia i sheh si të pavarura nga Ukraina”.

Në një pyetje në lidhje me bombardimin e një spitali në Mariupol nga CNBC, Lavrov tha se media nuk kishte dhënë një histori të ekuilibruar për atë që kishte ndodhur dhe se ndërtesa ishte bosh nga pacientë dhe nën kontrollin e “radikalëve” ukrainas.