Diplomatët e BE-së: Vendimi për kandidaturën e Ukrainës nuk ndryshon asgjë për Ballkanin Perëndimor

Shkup, 8 mars – Pas vendimit që të shqyrtohen kandidaturat për anëtarësim në BE të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, diplomatët në BE insistojnë se kjo nuk ndryshon asgjë për procesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, informon korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Dje ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së njëzëri morën vendim që të kërkojnë nga Komisioni Evropian që t’i shqyrtojë kërkesat e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë për anëtarësim në aleancën evropiane.

Tre burime të ndryshme diplomatike për MIA-n konfirmuan se gjatë mbledhjes disa ambasadorë të vendeve anëtare e kanë hapur çështjen për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat me vite janë të bllokuara në procesin e zgjerimit pa progres të madh drejtë anëtarësimit të plotë.

“Po, u fol për Ballkanin Perëndimor në mbledhje që të thuhet se është e qartë se ky vendim nuk ndryshon asgjë për perspektivën evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe për proceset në vijim ose nën diskutimin me Ballkanin”, tha për MIA-n një burim i lartë diplomatik nga një vend i madh anëtar i BE-së pas mbledhjes së djeshme të ambasadorëve.

Procesi i anëtarësimit për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, nëse ndiqet rregullisht si për Maqedoninë e Veriut dhe të tjerët, mund të zgjasë shumë, thonë diplomatët, duke pasur parasysh se reformat themelore politike dhe ekonomike në këto vende janë ende në vazhdim, larg standardeve të BE-së . Parashtrohen edhe çështje të tjera politike për këto vende, përveç faktit se Ukraina është në luftë dhe që të tre vendet kanë territore secesioniste – Transnistria në Moldavi dhe Abkhazia dhe Osetia për Gjeorgjinë.

Në këtë moment nga institucionet e BE-së sqarojnë se cila do të jetë procedura për prodhimin e mendimit të Komisionit Evropian për aplikimet e këtyre tre vendeve lindore, pritet së pari diskutimi i shefave të shteteve dhe qeverive të BE-së të premten në Francë në këtë temë.

Disa vende anëtare, kryesisht ato të Evropës lindore, kërkojnë procedurë të përshpejtuar për Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, propozim për të cilin frenojnë vendet e përmbajtura tradicionalisht drejtë zgjerimit, si Holanda ose Franca.