Ambasadori i Italisë në vend, Andrea Silvestri për vizitë pune në Universitetin e Tetovës

Shkup, 3 mars – Ambasadori i Republikës së Italisë në Shkup, Andrea Silvestri, sot qëndroi për vizitë pune ë Universitetin e Tetovësi, ku u prit nga rektori i Universitetit të Tetovës, Reshat Qahili, prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Shefik Shehu, dekani i Fakultetit Filologjik, Berton Sulejmani dhe profesori i Fakultetit Juridik,. Faton Shabani.

Në këtë takim, siç theksohet në kumtesën e UT-së, u diskutua për fuqizimin e programit studimor të Filologjisë romane, drejtimi Gjuhë dhe Letërsi Italiane në kuadër të Fakultetit Filologjik dhe për ndihmën që mund të jep Ambasada italiane në forcimin dhe ndërtimin e kapaciteteve të katedrës përkatëse. Po ashtu, u diskutua edhe mbi mundësitë e tjera të bashkëpunimit në nivel akademik mes universitetit tonë dhe universiteteve nga Republika e Italisë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Qahili e falënderoi ambasadorin italian për bashkëpunimin dhe mbështetjen e deritanishme që populli italian përmes Ambasadës italiane në Shkup i ka dhënë dhe i jep Universitetit të Tetovës, që nga themelimi i tij.

Gjatë qëndrimit të tij në Universitetin e Tetovës, shtohet më tej në kumtesë, ambasadori i Italisë realizoi edhe një takim me dekanin e Fakultetit të Arteve të UT-së, Nafi Jashari dhe profesoreshën e këtij fakulteti Nora Halimi, ku u diskutua për realizimin e disa projekteve të përbashkëta në fushën e artit.