Trajanov: Janë të domosdoshme ndryshime gjatë zgjedhjes së gjykatësve në Gjykatën kushtetuese

Shkup, 3 mars – Lidhja demokratike konsideron se duhet të krijohen kushte për punë të Gjykatës kushtetuese, përmes zgjedhjes së gjykatësve, por, kjo duhet të zhvillohet në procedurë transparente dhe kritere të konfirmuara.

Në konferencën e sotme për shtyp në Kuvend kryetari i partisë, Pavle Trajanov theksoi se nuk ka konkurs apo së paku shpallje publike për zgjedhje të gjykatësve në mënyrë që të interesuarit të mund të paraqiten.

“Gjykatësi i Gjykatës kushtetuese mund të jetë një jurist i shquar, pa u sqaruar në bazë të cilave kritere definohet juristi i shquar, më tutje nuk ka kritere të tjera si përvoja profesionale, shkalla e arsimit apo specializimi”, theksoi ai.

Sipas Trajanovit, deri më tani, shumica e gjykatësve propozohen nga partitë, me ç’rast zgjedhja fillimisht varet nga partitë të cilat e përbëjnë shumicën parlamentare.

“Gjykata kushtetuese në tridhjetë vitet e kaluara funksionon nën presion dhe diktat të partive, për ç’shkak janë të domosdoshme ndryshime gjatë zgjedhjes dhe e njejta të zhvillohet në procedurë transparente dhe në bazë të kritereve të fuqishme”, tha Trajanov.

Në pyetjen e gazetarëve nëse këto gjëra do t’i ndajë edhe në parlament, ai theksoi se do ta bëjë atë, ndërkaq nëse Komisioni për zgjedhje dhe emërime fillon me punë dhe zgjedhë propozime për gjykatës kushtetues, siç tha, do të votojë varësisht nga kandidatët të cilët do të propozohen.