Vazhdon debati në Kuvend për shkarkimin e Fadil Zendelit

Shkup, 3 mars – Deputetët sot për të tretën ditë po diskutojnë për Propozim-vendimin për shkarkim të deputetit Fadil Zendeli nga Lëvizja Besa nga anëtar i Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.

Edhe në vazhdimin e sotëm të mbledhjes së 64-t përsëriten qëndrimet e paraqitura nga dita e djeshme. Deputetët nga opozita akuzuan se shumica parlamentare ka mbetur “e shurdhët, nuk ka dëgjuar, është paraqitur në mënyrë arrogante, ka demonstruar fuqi dhe mbifuqi” dhe theksuan se kjo pikë është “përbiruar” në rend dite, ndërsa materialet u parashtruan katër minuta para mbledhjes.

Për deputetët nga shumica në pushtet, ndërkaq, vendimi është në pajtim me dispozitat në Rregullore të cilat urdhërojnë pasqyrim të vendeve të deputetëve nga partitë në përbërje të trupave punues.

Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE tha se tre ditë po tentojnë me fakte dhe me argumente juridike të tregojnë se kjo që po bëhet është precedent dhe improvizim.

“Asnjë precedent, asnjë improvizim nuk ka sjellë asgjë të mirë, as për ta, as për Kuvendin, as për qytetarët”, tha Jarevski.

Sonja Mirakovska nga PRSD përsëriti se askush nuk ka asgjë kundër Fadil Zendelit dhe nuk jepet vlerësim për sjelljen e tij, për punën, për kredibilitetin… Përkujtoi se ai ishte nënkryetar i Kuvendit, por dha dorëheqje edhe përkundër asaj, siç tha, duhej ta kryente punën dhe të japë dorëheqje edhe si anëtar i Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.

Sipas saj, ai është i vetëdijshëm se në këtë Komision, është jashtëzakonisht me rëndësi dhe duhet secili koalicion, pa dallim nëse është në pushtet apo ko, të ketë aq vende sa u takojnë.

Në mbledhjen e 64-t në rend dite janë edhe propozim-ligjet për plotësim të Ligjit për Prokurorinë publike dhe për plotësim të Ligjit për Këshillin e prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, Propozim-ligji për përgjegjësi qytetare për ofendim dhe shpifje, Propozim-deklarata me rastin e 150-vjetorit të lindjes së Goce Dellçevit.