Kovaçevski: SHA EMV jep energji elektrike të prodhuar nga kapacitetet vendase
Shkup, 1 mars – SHA EMV jep energji elektrike të prodhuar nga kapacitetet vendase. Nuk importohet energjia elektrike, thotë njeriu i parë i kompanisë Vasko Kovaçevski.
Në një video deklaratë, Kovaçevski thekson se prodhimtaria e energjisë elektrike në SHA EMV është stabile dhe se dërgohen sasitë ditore, javore dhe mujore ndaj furnizuesit universal EVN Houm dhe gjithkund ku kanë siguruar plasman për energji elektrike.
“Ndaj EVN Houm për nevojat e qytetarëve dhe konsumatorëve të vegjël dërgohet energjia elektrike e prodhuar në elektranat e SHA EMV, TEC Negotinë dhe TE-TO, nuk importohet energji elektrike dhe nuk ka mungesë. Plotësisht, Qeveria e obligoi EMV-në të sigurojë energji elektrike edhe për përqindjen e planifikuar të humbjeve në rrjetin e EVN-së dhe MEPSO-s, me qëllim që të sigurohet edhe ajo energji me çmim vendor. Gjithë kjo bëhet me mbështetje të Qeverisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe me plan financiar, me qëllim që me sukses të dalim nga kriza energjetike”, thotë Kovaçevski në video deklaratë.
Sipas tij, situata menaxhohet me sukses dhe janë aktivizuar të gjitha kapacitetet për prodhimtari maksimale të energjisë elektrike. Blloku 1 dhe Blloku 2 në REK Manastir, siç potencoi, janë në gjendje të plotë, ndërsa Blloku 3 ende nuk është në funksion për shkak të transformatorit të djegur i cili duhet të përgatitet për t’u vendosur në funksion në gjysmën e dytë të vitit. REK “Osllomej” punon pjesërisht dhe e plotëson periudhën kur ka konsum të rritur për kërkesën e energjisë elektrike, ndërsa TEC Negotinë punon me gjysëm kapaciteti dhe bëhet përpjekje nga marsi deri në maj-qershor të vihet në funksion me të dy kaldajat.
“Deri tani po ia dalim me sukses, fondet e destinuara deri më tani për përballimin e krizës janë të konsiderueshme, por janë shumë më të vogla se ato që shpenzohen në vendet e rajonit. “Ne jemi aktivisht të përfshirë me të gjitha kapacitetet për prodhim maksimal të energjisë elektrike dhe për menaxhimin e krizës me energji elektrike dhe atë të furnizimit me ngrohje,” tha Kovaçevski.

