Panair i parë rajonal për punësim
Shkup, 28 shkurt – Panairi i parë rajonal rinor për punësim do të mbahet sot në Shkup, në kuadër të projektit “Të rinjtëHab – ndërtimi i shkathtësive për punësim, kompetenca dhe mundësi për rrjetësim të të rinjve” të cilin e zbaton Këshillin nacional rinor të Maqedonisë me mbështetje financiare nga Ambasada britanike në Shkup.
Në panair, siç kumtoi Këshilli nacional rinor i Maqedonisë, do të prezantohen mbi 30 kompani të cilat veprojnë në Rajonin e Shkupit dhe parashihet të vizitohet nga mbi 150 persona të rinj të cilët kërkojnë punë.
Panairi është paramenduar si platformë e hapur për ndërtim të shkathtësive dhe kompetencave për punësim të të rinjve, si dhe krijim të mundësive për ndërlidhjen e tyre me punëdhënësit.
Në atë drejtim, në kuadër të panairit janë paraparë tre aktivitete: Panair i kompanive, përkatësisht secila kompani do të ketë stand të vet ku do ta prezantojë punën e vet; Speed date, përkatësisht njohje e fokusuar mes të rinjve dhe kompanive në interval të shkurtë kohor; Youth booth, përkatësisht hapësirë në kuadër të panairit ku do të mund të zbatohen intervista për punë.
Në hapjen e ngjarjes do të flasin përfaqësues të Këshillit nacional rinor të Maqedonisë dhe Ambasadës britanike në Shkup.

