Inatet politike përplasin Jeton Shaqirin dhe Bilall Kasamin
Tetovë, 25 shkurt – Sot në komunën e Tetovës duheshte të mbahet një ngjarje në kuadër të dialogut të Ministrisë së Arsimit, për krijimin e politikës së regjistrimit për vitin shkollor 2022-2023 dhe avancim të arsimit të mesëm profesional.
Kjo ngjarje ishte planifikuar për në orën 10, mirëpo në ora 9 sot paraprakisht ishte dakorduar një takim kokë më kokë mes kryetarit të Tetovës Bilall Kasami dhe ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri. Mirëpo ky takim sot nuk u realizua, shkruan Zhurnal.
Nga kabineti i Kasamit njoftojnë se ky veprim i Jeton Shaqirit të mos paraqitet në takim është mos respektim i kryetarit të komunës dhe kështu, kjo nënkupton mos respektim i të gjithë qytetarëve të kësaj komune.
Sipas Kasamit, ky veprim i Shaqirit me siguri ka qenë me urdhër të shefave të tyre dhe partisë të cilën ai përfaqëson.
Kështu, Kasami ka vendosur që përshkak mos paraqitjes në takim, i njejti ta anulojë ngjarjen që duheshte të mbahet në ora 10.
“Mosrespektimi i kryetarit të Komunës së Tetovës nënkupton mosrespektim i të gjithë qytetarëve të cilët jetojnë në qytet. Ministri i Arsimit, me urdhër të shefave të tyre, dukshëm nuk arrin të sillet në mënyrë profesionale, siç i ka hije funksionit të ministrit. Në bazë të politikës së partisë që e përfaqëson, edhe një herë dëshmoi se i injorojnë komunat të cilët nuk udhëhiqen nga BDI-ja. Komuna e Tetovës ka lider, për këtë nuk do të lejojmë që askush ta nënçmojë autoritetin e qytetarëve dhe komunave”, theksoi Komuna e Tetovës në kumtesë, njofton Zhurnal.
Reagim tjetër pati gjithashtu edhe nga Ministria e Arsimit ndërsa nga ky institucion fajtor e bëjnë Kasamin që ka anuluar ngjarjen pa asnjë paralajmërim.
Nga kabineti i ministrit shprehen se në arsim nuk duhet të ketë politikë ndërsa komuna e Tetovës më tepër duhet të angazhohet për arsimin e gjeneratave të ardhshme..
Edhe nga ky institucion shprehen se veprimi i Kasamit sot ka qenë veprim politik dhe hap i gabuar.
“Nuk ka as edhe një arsye që mund ta fsheh ose arsyetojë prapavijën politike të këtij veprimi të kryetarit të komunës së Tetovës.
Ky është një hap i gabuar, sepse në arsim nuk ka vend për politikë dhe tentativë për të fituar pikë politike. Në arsim, fokusi janë dhe duhet të mbeten nxënësit, arsimtarët, studentët, profesorët dhe interesat e tyre”, thuhet në kumtesë.
Nga MASH informojnë se ngjarja gjithsesi do të realizohet ditëve në vijim dhe shpresojnë se kryetari i komunës do të jetë një nikoqir i denjë i këtij takimi.//Zhurnal.mk

