Nga 1 Marsi parkim më i lirë zonal në Shkup
Shkup, 24 shkurt – Qyteti i Shkupit kumtoi se në seancën e sotme këshilltarët votuan vendimin për zvogëlim të çmimeve në zonat për parkim në qytet.
“Këshilltarët në seancën e sotme të 5-të e shqyrtuan informacionin për gjendjet në NP Parkingu i Qytetit Shkup, dhe dhanë pëlqimin e tyre në Vendimin për ndryshime dhe plotësime të çmimores së shërbimeve që i kryen kjo ndërmarrje. Në seancën e Bordit Drejtues të ndërmarrjes paraprakisht ishte sjellur vendim për zvogëlim të çmimeve në zonat e parkimit në qytet, që sot ishte votuar nga këshilltarët e Qytetit të Shkupit. Me këtë Vendim për ndryshim të Çmimores së shërbimeve të ndërmarrjes publike Parkingu i Qytetit, zvogëlimi ka të bëjë me parkimin për një orë në zonat dhe atë zona A0 parkimi prej 100 denarë, zvogëlohet në 75 denarë, në zonën A prej 50 denarë, zvogëlohet në 40 denarë, në zonën B prej 40 zvogëlohet në 30 denarë, në zonat C dhe D zvogëlohet në 25 denarë”, qëndron në kumtesë.
Vendimi për zvogëlimin e çmimeve për parkim në Shkup do të zbatohet nga 1 marsi 2022.

