Mariçiq: Si anëtare e NATO-s qëndrojmë në anën e Ukrainës, nevojitet format i bisedimeve për ndërprerje të luftës
Shkup, 24 shkurt – Ne nuk marrim pjesë në krijimin e problemit mes Rusisë dhe Ukrainës, por jemi shtet anëtar i NATO-s dhe duhet të kemi qëndrim. Qëndrimi ynë është parimor, dhe qëndrojmë në anën e Ukrainës, konsideron zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq.
Ai sonte gjatë pjesëmarrjes në TV Kanal 5, theksoi se mbështesim zgjidhje diplomatike dhe me rëndësi është sa më parë të bëhet formati i bisedimeve të cilat do ta ndërpresin luftën.
“Ne çdoherë kemi qenë për zgjidhje diplomatike dhe do të mbështesim zgjidhje diplomatike që sa më parë të ndërpriten luftimet, kjo do të jetë më mirë edhe për Ukrainën edhe për Rusinë, por edhe për paqen botërore. mendoj se me rëndësi është sa më parë të bëhet formati për bisedime të cilat do ta përfundojnë luftën sepse së paku ne në Ballkan e dimë se çka do të thotë lufta dhe e dimë se cilat janë pasojat dhe sa njerëz e humbën jetën në rajonin tonë. Ne jemi për paqe dhe për zgjidhje paqësore”, shtoi Mariçiq.
Ai përmendi se qëndrojmë të solidarizuar me popullin e Ukrainës dhe si shtet jemi të gatshëm të ndihmojmë në këto momente të vështira.
Përkujtoi se Qeveria edhe krahas asaj që sot në mbledhje e dënoi këtë akt të agresionit, gjithashtu solli vendim t’i bashkangjitet pakos së masave për sanksione ndaj Rusisë të cilat BE-ja i vendosi pas invazionit.
“Njëqind për qind tërësisht u harmonizuam me politikën e përbashkët të jashtme të sigurisë të BE-së rreth këtyre vendimeve. Këto vendime nënkuptojnë edhe janë targetuar sanksione ndaj 27 personave juridik dhe fizik, por gjithashtu edhe ndaj një numri të madh të politikanëve në Rusi, ndërsa nënkupton edhe ngrirje të llogarive të tyre, ndalesë për udhëtime etj.”, shtoi Mariçiq.
Ai përmendi se përcaktimi ynë është, meqë jemi anëtare e NATO-s e cila e respekton integritetin territorial të Ukrainës dhe jep mbështetje, t’i ndjekim dhe të koordinohemi me vendimet e Aleancës, por planifikojmë t’i ndjekim edhe hapat e ardhshëm të cilët do t’i ndërmarrë BE-ja ndaj këtij konflikti.
“Ne nuk jemi neutral, ne jemi anëtare e NATO-s dhe zgjedhje e secilit shtet është se si do të përcaktohet në politikën e vet të jashtme. Është e papranueshme të fillohet një luftë e tillë në shekullin 21 në tokën e Evropës, kjo mund të ketë implikime serioze dhe pasoja edhe për shtetet përreth”, shtoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane.
Ai konsideron se do të jenë më të mëdha pasojat edhe ndaj dhe për Rusinë, ndërsa ne, siç tha, bëjmë analiza se cilët do të ishin hapat e ardhshëm në këtë pjesë.
Lidhur me paralelen me Kosovën dhe Serbinë, Mariçiq konsideron se nuk mund të bëhet një krahasim i tillë, sepse, sipas tij, paralelet e tilla i takojnë propagandës antiperëndimore.
“Mendoj se nuk ka nevojë të marrim pozicione të tjera të cilat janë të ndryshme nga interesi ynë. Ne e kemi njohur Kosovën dhe të gjitha hapat e vendit tonë janë në atë drejtim, për ne duhet të jetë temë se si t’i realizojmë interesat tona”, tha Mariçiq.

