Në Kuvend ka filluar debati për Ligjin për pagën minimale

Shkup, 21 shkurt – Në Kuvend ka filluar debati për Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale, i cili është pika e gjashtë e rendit të ditës të seancës së 62-të, ndërsa me të cilën paga minimale do të jetë 18.000 denarë.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, duke e sqaruar Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pagën minimale, tha se është përgatitur në dialog me punëdhënësit dhe punëtorët dhe është marrë një vendim që është i mbështetur nga të gjithë, që është paga minimale të jetë 18.000 denarë.

“Ligji përcakton pagën minimale, e cila për muajin mars, duke përfshirë pagesat për muajin mars, duhet të jetë në shumë prej 18.000 denarë. Shteti mendon edhe për punëdhënësit. Në propozim-ligjin është parashikuar që shteti të mbulojë të gjithë diferencën në pjesën e kontributeve për pagën minimale, e cila aktualisht është 15.200 denarë, me atë që do të paguhet nga muaji mars dhe do të jetë 18.000 denarë. Është planifikuar që punëdhënësit të përkrahen në periudhën nga marsi deri në dhjetor 2022, informon Trençevska, e cila thekson se paga minimale është dyfishuar në krahasim me atë të vitit 2016, e cila ishte 10.080 denarë.

Ajo theksoi se pret që rritja e pagës minimale të ndikojë pozitivisht në rritjen e pagave të tjera, që siç tha ajo do të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve.

Deputetja e Aleancës së Shqiptarëve, Ilire Dauti, tha se dy amendamentet e tyre nuk janë pranuar nga Komisioni për Punë dhe Politikë Sociale. Ajo theksoi se shteti nuk duhet t’i ngarkojë biznesmenët me detyra shtesë për punonjësit dhe duhet t’i ndihmojë ata për dy vitet e ardhshme. Ajo theksoi se me rritjen e pagës minimale edhe pagat e tjera duhet të rriten gradualisht.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Bojan Stojanovski tha se grupi i tyre parlamentar do ta mbështesë propozim-ligjin për pagën minimale.

“Më vjen keq që mazhoranca dhe Qeveria nuk u inkurajuan për të gjetur një mundësi dhe për të zgjidhur problemin me rritjen graduale të pagave. Maqedonia është në mesin e katër vendeve më të varfra në Evropë, ndërsa shporta e konsumatorit për 30 ditë është rritur për 700 denarë dhe tani është 35.811 denarë. Nuk duhet të rritet vetëm paga minimale, por të gjitha pagat në të gjitha aktivitetet”, tha Stojanovski.

Pas fjalimit të tij, kryeparlamentari Talat Xhaferi dha një orë pauzë.

Më herët deputetët e miratuan Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në turizëm ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndryshimet në Ligjin për tarifën doganore, ndryshimet në Ligjin për lëshimin e obligacioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut për denacionalizim, si dhe ndryshimet në Ligjin për qarkullimin pagesor.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, duke sqaruar Propozim-ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në turizëm ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, tha se parasheh thellimin e bashkëpunimit në këtë fushë shumë të rëndësishme për shkëmbimin e informacioneve, për t’i kthyer të dy vendet në destinacione turistike.

“Të dy vendet kanë kapacitete të papërdorura në turizëm. Ne planifikojmë që bashkërisht t’i promovojmë kapacitetet për turizëm në vendet e tjera dhe të tërheqim sa më shumë turistë”, tha Bekteshi, i cili shtoi se e kjo thellon bashkëpunimin me Kosovën.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski, duke folur për propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për tarifën doganore, tha se grupi i tyre parlamentar do t’i mbështesë ndryshimet dhe theksoi se është i kënaqur që amendamenti i tyre për uljen e tarifave doganore për produkte të caktuara është pranuar dhe përdoret si lëndë e parë në prodhimin e ushqimit.

Deputeti i LSDM-së, Dime Velkovski, në përgjigje për Stojanovskin, ka sqaruar se me ligjin janë përfshirë 80 nën-industri të industrisë ushqimore.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Lupço Prenxhov, theksoi se ndryshimet në ligj janë të nevojshme, por të vonuara dhe se ulja e tarifave doganore është dashur të bëhet në gusht të vitit të kaluar, më së voni në shtator.