Banorët e Demir Hisarit e çuan shtetin në këmbë për renovimin e rrugës me gropa, banorët e Likovës “në gjumë”!
Shkup, 18 shkurt – Kryetari i komunës së Demir Hisarit nuk i ka fituar zgjedhjet me 73 për qind të votave, si kryetari i komunës së Likovës. Mirëpo banorët e kësaj komune, që është trefish më e vogël se komuna e Likovës, kanë treguar nivel të lartë qytetarie kundrejt pushtetit, duke protestuar me vedosmëri për ndërtimin e rrugës kryesore në komunën e tyre.
Vendosmëria e tyre, e manifestuar duke bllokuar me protesta rrugën Manastir –Kërçovë, e ka çuar në këmbë gjysmën e shtetit, deri sa nuk u janë përmbushur kërkesat.
Protestat e tyre kanë dhënë rezultat dhe dje është arritur marrëveshje mes bashkësive lokale të këtij rajoni, drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Makedonija pat”, drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Rrugët shtetërore” dhe ministrit të Transportit dhe Lidhjeve.
Marrëveshja, siç bëjnë të ditur kryetarët e bashkësive lokale, parasheh “rehabilitim të aksit rrugor Demir Hisar – Drugovo në gjatësi prej 12 kilometrash”.
Rikonstruimi do të fillojë menjëherë sapo të lejojnë kushtet atmosferike për punë në bazamentin e asfaltit. Gjithashtu është konstatuar se rehabilitimi i pjesës tjetër të aksit rrugore do të jetë në fillim të vitit 2023. Edhe pse i kanë marë këto garanca, banorët kanë njoftuar se protestat në aksin rrugor do të ndërpriten vetëm përkohësisht, që do të thotë se atom und të aktivizohen sërish nëse nuk përmbushen premtimet e dhëna.
Banorët të revoltuar thonë se pësojnë dëme të mëdha materiale nëpër veturat e tyre. Ata ankohen se rruga e tyre nuk është meremetuar që nga koha e Jugosllavisë.
E në anën tjetër e kemi komunën e Likovës. Në këtë komunë rrugët nuk janë meremetuar as në kohën e Jugosllavisë, as para Jugosllavisë, e as gjatë pavarësisë së Maqedonisë.
E kemi shembull konkret rrugën që lidh fshatrat Mateç dhe Ropalcë. Vetëm këto dy fshatra kanë banorë gati sa gjitha fshatrat e Demir Hisarit, mirërpo deri sot nuk janë bë bashkë as tre veta të protestojnë dhe të kërkojnë ndërtimin e rrugës. Biles kur erdhën zgjedhjet, më shumë se 70 për qind të votave ia dhanë kryetarit aktual të komunës. Kurse rruga është në gjendje vërtetë të mjerueshme, në gjendje më të keqe se rrugët në kohën e mesjetës.
Një vit e më tepër rruga është gërryer, por punimet asessi të përfundojnë. Me siguri priten zgjedhjet e ardhshme të vijnë. E ndërkohë gjatë verës ngritet pluhur deri në qiell, e në vjeshtë dhe dimër balta bëhet deri në fyt. Banorët heshtin. Mezi donjëri prej tyre mer guximin të thotë para mediumeve ndonjë fjalë kritike. Shumica nuk çajnë kokën, preferojnë të rrinë nëpër kafene duke bë analiza për situatën në Ukrainë. 99 për qind e tyre e e dinë “saktë” datën se kur do të sulmojë Rusia, por edhe si do të përgjigjet Amerika. Rruga me gropa u duket temë e parëndësishme kundrejt debateve globale që i zhvillojnë nga Iraku e Siria, e deri në Afganistan e Ukrainë.
Rruga Mateç-Ropalcë nuk është shembulli i vetëm. Gazetarët u lodhën duke shkruar e duke raportuar se kjo komunë ende nuk ka ujësjellës edhe pse para më shumë se 50 viteve janë ndërtuar dy penda që furnizojnë mbi 100 mijë banorë në fshatra e komuna tjera, që janë mbi 50 kiloemtra larg. Shkruaj gazetat, shkruaj portalet, raporto televizionet, banorëve të Likovës assesi nuk u mbushet mendja të organizojnë një protest simbolike për ujësjellësin e vonuar me dekada të tëra. Ndoshta pasi të zgjidhet problemi i Ukrainës edhe mund të organizojnë ndonjë protest, nëse ndërkohë nuk “plas” sherri në ndonjë cep tjetër të botës.

