Ndahen marrëveshjet nga IPARD 2 për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve të vogla

Shkup, 17 shkurt – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski dhe drejtori i Agjencisë për përkrahje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural, Nikica Baçovski sot i kanë ndarë marrëveshjet për masën shtatë nga IPARD 2 Programi, i cili ka të bëjë me diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve të vogla.

Siç theksoi Nikollovski, në thirrjen e fundit ka pasur interesim të madh, janë miratuar 110 aplikacione për gjithsej 13,5 milionë euro përkrahje, ndërsa vlera e investimeve të miratuara është 22 milionë euro.

Sipas tij, mjetet nga masa shtatë janë kërkuar për investime në kapacitete për vendosje, për shërbime veterinere, për furnizim të pajisjes për prodhimin e prodhimeve udhqimore dhe pijeve, ndërsa aplikuesit janë nga pjesë të ndryshme të shtetit që do të nxisë zhvillim të barabartë rajonal, zhvillimin e rajoneve rurale dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Masa shtatë ka zbatim të gjerë dhe ofron përkrahje për investime më të ndryshme në disa sfera: industri ushqimore, ndërtim të hoteleve, kampe, muzeume, prodhim të mobiljeve, veshmbathjes, sistemeve solare për ujë të ngrohtë, instalimin e fotovoltaikëve, prodhimeve të furrës…Gëzon fakti që kjo thirrje ka pasur interesim të madh. Presim shfrytëzim të tërësishëm të mjeteve”, tha Nikollovski.

Me investimet e tilla, shtoi ai, zhvillohet pjesë më e fuqishme e ekonomisë – ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Drejtori Baçovski informoi se përmes të gjithave masave nga IPARD 2 programi deri sot janë miratuar 2.257 projekte me vlerë të përgjithshme të investimeve prej mbi 69 milionë euro. Tërësisht janë realizuar 1.948 projekte, ndërsa 1.781 aplikues tërësisht i kanë përfunduar investimet dhe në llogaritë e tyre janë kthyer 21,8 milionë euro drejtpërdrejtë të hyra në ekonominë e vendit.

Ministri Nikollovski edhe një herë ka përsëritur se pret minimum 30 milionë euro buxhet më të madh me IPARD 3 ose të paktën 50 për qind më shumë se në krahasim me IPARD 2.