Gjendet gjallë një vajzë që ishte zhdukur tri vjet më parë
Një vajzë e vogël, që ishte zhdukur që nga viti 2019, është gjetur gjallë në një dhomë sekrete pranë shkallëve.
Paislee Shultis, tash gjashtëvjeçare, u gjet në një shtëpi në qytetin Saugerties, pas një kërkimi të hënën, raporton BBC.
Ajo është mirë me shëndet dhe është bashkuar me kujdestaren e saj të ligjshme dhe motrën e saj të madhe, ka thënë Policia.
Prindërit e saj jo-kujdestar janë akuzuar për ndërhyrje në kujdestari dhe se kanë kërcënuar mirëqenien e familjes.
Paislee ishte raportuar e zhdukur në New York në korrik të vitit 2019, sipas deklaratës së Policisë. Ajo ishte katërvjeçare.
Autoritetet në atë kohë besonin se vajza ishte kidnapuar nga prindërit e saj, Kimberley Cooper (33) dhe Kirk Shultis Jr. (32).
Pasi mori informata se Paislee po mbahet e fshehur në një lokacion në qytetin Saugerties, Policia mori lejen për bastisje të shtëpisë. U kontrollua shtëpia.
Kirk Sultis 57-vjeçar, pronar i shtëpisë, ishte atje kur Policia bëri bastisjen dhe tha se nuk ka njohuri se ku ndodhet Paislee.
Por, pas një orë kërkimi, policët zbuluan te shkallët një bodrum që dukej çuditshëm i ndërtuar.
Pasi lëvizën dërrasat gjetën Paisleen dhe nënën e saj Kimberleyn të fshehur.
Paislee u kontrollua nga mjekët dhe u raportuar se është në shëndet të mirë.
Cooper, Shultis Jr dhe Shultis Sr janë arrestuar dhe akuzuar për kidnapim. Shultis Jr dhe Shultis Sr janë liruar nga paraburgimi dhe janë në pritje të seancës gjyqësore, ndërsa Cooper është mbajtur në paraburgim.

