Panel-diskutim: Niveli i mosndëshkimit për gjuhën e urrejtjes është ende i lartë, duhet të rritet ndërgjegjësimi i mendimit publik
Shkup, 15 shkurt – Niveli i mosndëshkimit në vend është ende i lartë duke pasur parasysh praktikën modeste gjyqësore për krimet që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes ose krime të tjera të rënda verbale, thuhet në analizën e Institutit Maqedonas të Media (IMM).
IMM konkludon se është i nevojshëm promovimi i bashkëpunimit të ndërsjellë të aktorëve të ndryshëm në shoqëri dhe në nivele të ndryshme, ndërmjet palëve të ndryshme të interesuara – institucionet publike, shoqëria civile, rregullatori i medias dhe organi vetërregullues, në mënyrë që të ndërgjegjësohet publiku dhe të promovohet bashkëpunimi i ndërsjellë.
Siç tha Vesna Nikodinoska, menaxhere e programit në IMM, është e nevojshme të ndërgjegjësohet publiku apo mendimi publik për dëmet që mund të shkaktohen nga dezinformatat dhe gjuha e urrejtjes në shoqëri. Ajo tha se edhe elitat politike duhet të angazhohen për komunikim të drejtë, etik dhe profesional me publikun, median dhe kundërshtarët e tyre për të ofruar informacion në interes të publikut. Sipas saj, disa analiza tregojnë se politikanët janë një nga gjeneruesit e dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes në shoqërinë tonë.
“Lidhur me përmirësimin e rregulloreve për parandalimin e gjuhës së urrejtjes, një nga iniciativat më efektive është iniciativa për ndryshime në Kodin Penal që parasheh që sulmet në të ardhmen ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias të ndiqen sipas detyrës zyrtare dhe jo në padi private si më parë. Analizat tregojnë se në 26 gjykata ka pasur pesë raste gjyqësore të gjuhës së urrejtjes. Në Gjykatën Themelore Penale ka një çështje gjyqësore për përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes një sistemi kompjuterik. Sa i përket rregullimit të dezinformatave, kjo çështje është subjekt i vetërregullimit, sepse në vendin tonë nuk ka rregullim të dezinformatave”, tha Nikodinoska në prezantimin e analizës “Korniza rregullative dhe vetërregulluese për trajtimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave në RMV-së.”
Në analizë thuhet se komuniteti mediatik dhe sektori i shoqërisë civile duhet të mbështesin mekanizmat vetërregullues në sferën mediatike për të parandaluar punën joprofesionale dhe joetike dhe për të mbrojtur publikun nga dezinformatat dhe informacionet joprofesionale të publikuara në mediat tradicionale dhe ato online.
“Mediat online dhe komuniteti mediatik duhet të mbështesin dhe zbatojnë udhëzimet për raportimin etik të mediave online të iniciuara nga Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë (KEMM). Komuniteti i biznesit gjithashtu duhet të mbështesë Udhëzimet pasi kjo do t’u mundësojë kompanive të mbështesin punën e mediave profesionale. Prokuroria Publike dhe Ministria e Brendshme duhet të jenë proaktive në ndjekjen e gjuhës së urrejtjes, ndërsa gjyqësori duhet t’i procedojë rastet, duke qenë se numri i rasteve të regjistruara të gjuhës së urrejtjes që mund të çojnë në krime të urrejtjes është në rritje vitet e fundit. Anëtarët e policisë, prokurorëve publikë dhe gjyqësorit duhet të trajnohen vazhdimisht për njohjen, përpunimin dhe sanksionimin efektiv të gjuhës së urrejtjes në mediat tradicionale dhe në internet. Trajnimi rekomandohet edhe për gazetarët që mbulojnë këto tema”, citohet në analizë.
Marina Tuneva, drejtoreshë e Këshillit të Etikës në Mediat e Maqedonisë në panelin e sotëm “Efektshmëria e mekanizmave ligjorë dhe vetërregullues për trajtimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit në Maqedoninë e Veriut” informoi se sipas rezultateve të analizës së vitit të kaluar të Komisionit të Ankesave në KEMM, nga 109 vendime të marra, 91.3 për qind i referohen portaleve të internetit. Ajo theksoi se më së shumti ankohen qytetarët, pasuar nga gazetarët dhe mediat, organizatat e shoqërisë civile dhe gjithnjë e më shpesh ankesa nga politikanët – bartës të funksioneve publike. Informon se qytetarët reagojnë shpesh ndaj thashethemeve të shumta në media, informacioneve të njëanshme, informacioneve sensacionale, teorive konspirative që përhapen në disa media, transmetimit të informacionit pa kontrolluar origjinën e tyre dhe reagimeve ndaj gjuhës së urrejtjes në media.
“Sipas statistikave tona, numri i raportimeve për gjuhën e urrejtjes në media është në rënie. Komisioni ynë vitin e kaluar mori katër vendime për shkeljen e nenit të Kodit të Gazetarëve që lidhet me gjuhën e urrejtjes në media. Ajo që na zhgënjen është se 54 për qind e vendimeve të Komisionit i referohen shkeljes së nenit 1 të Kodit, pra ekzistencës së informacionit të pasaktë dhe të paverifikuar, mungesës së palës së dytë, mungesës së të paktën dy burimeve të informacionit që nuk janë të lidhura. Në 33 për qind të vendimeve flitet për sensacionalizëm në informimin mediatik”, tha Tuneva.
Vesna Bendevska, kryetare e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, tha se Komisioni ka një vit që punon me Ligjin e ri për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili është miratuar në tetor të vitit 2020. Ajo informoi se Komisioni tashmë ka zgjedhur një formacion të ri – kryetar është Kire Vasilev, ndërsa nënkryetar Ismail Kamberi. Ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të mediave që t’i drejtohen Komisionit dhe të kërkojnë mbrojtje, gjegjësisht të mos tolerojnë asnjë formë të diskriminimit të shprehur me fjalë apo gjuhë ngacmuese.
Komisioni në punën e deritanishme ka punuar në rastet e gjuhës ngacmuese. Është shumë e zakonshme, për sa i përket zhvillimeve sociale, për shembull rreth organizimit të “Paradës së Krenarisë”, të shohim një numër në rritje të rasteve të gjuhës së urrejtjes bazuar në orientimin seksual apo identitetin gjinor. Bendevska theksoi se deri më tani ka pasur raste të një game të gjerë të bazave të mundshme diskriminuese ku ka qenë e strukturuar gjuha ngacmuese apo shqetësuese.
Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë, informoi për aktgjykimin e ri të pranuar në pjesën e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, përkatësisht në fan faqen e Asociacionit në Facebook. Sekulovski theksoi se në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2021 ka vetëm pesë aktgjykime të formës së prerë për gjuhën e urrejtjes nga neni 319, dhe vetëm njëri prej tyre ka dënim efektiv prej pesë muajsh burg, ndërsa të tjerët janë dënime me kusht.
“Kjo që po bëjmë tani, po mundohemi ta përdorim këtë shembull si praktikë gjyqësore për të bindur situatat e tjera që kemi me raporte se tashmë kemi një praktikë gjyqësore të krijuar në vendin tonë dhe se nuk duhet të flasim më vetëm për Strasburgun, por se edhe ne tashmë kemi një praktikë gjyqësore specifike që mund të përdoret pavarësisht se kjo është e shkallës së parë. Megjithatë, kjo është një bazë e mirë për rritjen e ndërgjegjësimit. Trendi i kërcënimit kaq të lehtë ndaj njerëzve, veçanërisht gazetarëve, do të reduktohet ndjeshëm, pasi do ta përdorim këtë si një fushatë për të theksuar se
keqpërdorimi i lirisë së fjalës cënon të drejtat e tjera, në këtë rast sigurinë dhe potencialisht jetën e gazetarëve”, tha Sekullovski.
Emilija Petreska-Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale theksoi se në luftën kundër gjuhës së urrejtjes është e nevojshme të zhvillohet dhe të ushqehet kundërdialogu, përkatësisht gjuha alternative.

