Plenumi i arsimtarëve kërkon rritjen e pagave në arsim nga 1 marsi
Shkup, 14 shkurt – Plenumi i asimtarëve kërkon rritjen e pagave për të punësuarit në arsim prej shtatë për qind, që është paraparë me Buxhetin e sivjemë, në pajtim me marrëveshjen kolektive dhe lidhur me rritjen e pagës minimale, të llogaritet dhe realizohet nga 1 marsi i vitit 2022.
Me kërkesë deri te ministri Jeton Shaqiri, Plenumi njofton se nëpunësit në arsim janë të pakënaqur dhe ndjehen të diskriminuar në krahasim me punëtorët tjerë në sektorin publik, pasi sektori i arsimit është përjashtuar nga pagesa e regresit (K-15).
Kërkojnë edhe transport të organizuar, biletë mujore për transport publik ose kompensim mujor për harxhime rrugore për nëpunësit në arsim që udhëtojnë në punë në mjedise rurale ose nga një në komunë tjetër, si dhe kompensim për arsimtarët e klasave të cilët kanë punuar orë shtesë me nxënësit gjatë onlajn mësimit në periudhën e pandemisë në vitin shkollor 2021.
“Nëse kërkesat tona nuk merren parasysh, ne, arsimtarët e Plenumit të arsimtarëve, parashikojmë bojkot të mësimit, grevë apo protesta dhe u bëjmë thirrje të na shoqërohen të gjitha sindikatat nga sektori arsim dhe të gjitha shoqatat qytetare arismore, si dhe shoqatat e prindërve”, thuhet në kërkesën deri te ministri Shaqiri.

