Shaqiri: Nuk kemi përfitime nga greva, janë duke u shqyrtuar disa mundësi për rritjen e pagave
Shkup, 14 shkurt – Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri thotë se është i hapur për komunikim me Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK) për kërkesën e tyre për rritjen e pagave të mësimdhënësve, duke porositur se nuk ka përfitime nga mbajtja e grevës.
Shaqiri sot deklaroi se insiston për komunikim të drejtpërdrejtë me SASHK-un që të mos vijë drejt kësaj.
“Unë javën e kaluar pata takim me kryetarin dhe dy përfaqësues të SASHK-ut, ndërsa në fund të javës do të realizoj edhe një takim në të cilin do të marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Financave, jemi të hapur për komunikim dhe sa më parë të jetë e mundur do të japim përgjigje për këtë proces shumë të rëndësishëm”, paralajmëroi Shaqiri lidhur me kërkesën për pagë më të lartë për mësimdhënësit, pas rritjes së pagës minimale.
“Jemi të hapur për komunikim. Këtë javë do të realizoj takim, ndërsa në atë takim përveç MASHI-it do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Financave. Është e mundur të jetë deri në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër”, tha sot Shaqiri në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve, para fillimit të ngjarjes për avancimin e arsimit të mesëm profesional.
Ai përmendi se janë duke u shqyrtuar disa mundësi lidhur me procesin e rritjes së pagave, ndërsa përkujtoi se në procedurë kuvendore është Ligji për mësimdhënësit në të cilin është përfshirë edhe rritja e pagës.
“Do të jemi të hapur, mendoj se shumë shpejtë deri në mars kemi lënë periudhë kur do të japim përgjigje për këtë proces shumë të rëndësishëm”, shtoi ministri i Arsimit.
Lidhur me paralajmërimet për grevë nëse plotësohet kërkesa për rritjen e pagave, ministri konsideron se nga greva nuk kemi përfitim dhe prandaj, siç tha, insiston për komunikim të drejtpërdrejtë me SASHK-un që të mos vijë drejt grevës.
“Mendoj se paralajmërimet janë që të shmanget greva dhe të vijmë drejt marrëveshjes për rritjen e pagës. Periudha e ardhshme është periudhë kyçe për komunikim midis institucioneve kryesore, por proces shumë i rëndësishëm është edhe pjesa financiare”, shtoi Shaqiri.

