BB: E ardhmja e Shqipërisë kërkon një model ekonomik më të fortë dhe më të qëndrueshëm

Modeli ekonomik i Shqipërisë kërkon investime më të mëdha për të përmirësuar aftësitë e njerëzve, produktivitetin e firmave dhe qëndrueshmërinë dhe financat publike, thuhet në Memorandumin e ri Ekonomik të Bankës Botërore (CEM) për Shqipërinë, i publikuar sot.

Raporti nënvijëzon se Shqipëria është goditur rëndë nga tërmeti i vitit 2019 dhe nga pandemia COVID-19.

Sipas raportit, pasi të tejkalohet kriza e vazhdueshme shëndetësore, vendit do t’i duhet të përqendrohet përsëri në objektivat e tij ekonomike afatgjata, të cilat përfshijnë ndërtimin e një modeli të fortë dhe të qëndrueshëm rritjeje për të përmirësuar standardet e jetesës së qytetarëve, duke ndihmuar kështu në nxitjen e njerëzve me aftësi dhe talent për të qëndruar në Shqipëri.

“Përmes këtij raporti, ne kryejmë një analizë të re të sfidave të zhvillimit të Shqipërisë, përmbledhim progresin me zbatimin e reformave dhe ofrojmë rekomandime kyçe që mund të ndihmojnë Shqipërinë të arrijë një rimëkëmbje ekonomike të qëndrueshme, elastike dhe gjithëpërfshirëse”, thotë Emanuel Salinas, kreu i Bankës Botërore në Shqipëri.

“Në rekomandimet tona ne fokusohemi gjithashtu në atë që duhet bërë për t’i mundësuar popullit shqiptar të ketë jetë të shëndetshme dhe produktive dhe punë më shumë e më të mira”, ka shtuar Salinas.

Raporti merr në shqyrtim katër prioritetet e zhvillimit për një ekonomi më të fortë në Shqipëri.

Ai përqendrohet fillimisht tek investimi në njerëz dhe përmirësimi i aftësive të tyre.

“Për të trajtuar hendekun e aftësive, Shqipëria duhet të zhvendosë fuqinë punëtore nga punët me kualifikim të ulët dhe të mesëm në ato me aftësi të larta. Kjo kërkon përmirësimin e procesit të të mësuarit, reformimin e sistemit universitar dhe zhvillimin më të mirë të aftësive të përshtatjes me nevojat e tregut të punës”, thuhet në raport.

Banka Botërore e sheh gjithashtu rritjen e produktivitetit të firmave dhe krijimin e mundësive më të mira të punës si shumë të rëndësishëm.

“Prodhimi i Brendshëm Bruto për personat e punësuar në Shqipëri do të rritej me 40% nëse bizneset shqiptare do të kishin të njëjtin nivel produktiviteti si firmat mesatare në Ballkanit Perëndimor,” raporti shpjegon.

Sipas rekomandimeve në raport, që firmat shqiptare të jenë më produktive, duhet të përmirësohet klima e biznesit, të forcohet inovacioni dhe të thellohet integrimi i shqiptarëve në ekonominë globale.

Ndërtimi i një modeli rritjeje më të qëndrueshme është gjithashtu thelbësorë, sipas raportit.