Vërzivolli dhe Dema janë anëtarë të rinj të këshillit komunal të Dibrës
Dibër, 11 shkurt – Anëtarë të rinj të Këshillit të Komunës së Dibrës do të jenë Emin Vërzivolli dhe Bleron Dema, ka konfirmuar për MIA-n, kryetari i Këshillit, Fuat Spahiu.
“Ne kemi marrë një shkresë nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve se në vendet e zbrazëta të këshilltarëve në të ardhmen do të jenë Emin Vërzivolli nga Alternativa, i vjen në vendin e Xhemail Çupit dhe Bleron Dema nga Aleanca për Shqiptarët, i cili do të zërë vendin e doktor Arben Agollit”, tha Spahiu.
Sipas tij, emrat e tyre vetëm zyrtarisht do të konfirmohen nga komisioni për përzgjedhje dhe emërime dhe do të përfshihen në punën e këshillit nga seanca e ardhshme, e cila është planifikuar për në fund të këtij muaji.
Dy vendet e këshillit u zbrazën pasi këshilltari nga Alternativa, Xhemail Çupi u zgjodh ministër pa resor përgjegjës për diasporën, ndërsa këshilltari i Aleancës për Shqiptarët Arben Agolli dha dorëheqje, siç deklaroi nga MIA, për shkak të përgjegjësive të mëdha profesionale si mjek pediatër në klinikën e tij private.
Në Këshillin e Komunës së Dibrës, i cili ka 15 anëtarë, numrin më të madh të këshilltarëve ose gjashtë ka BDI-ja, pesë janë nga ASH/Alternativa dhe nga dy nga LSDM dhe VMRO-DPMNE.

