Aktvendimi për të akuzuarit të cilët e pranuan fajin në rastin “Titanik” më 28 shkurt

Shkup, 11 shkurt – Aktvendimi për disa nga të akuzuarit në rastin “Titanik” të cilët e pranuan fajin është caktuar për më 28 shkurt. Në fjalët e tyre përmbyllëse në Gjykatën themelore penale – Shkup, mbrojtja e të akuzuarve sot kërkoi nga gjykata t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese, posaçërisht virtytin që e pranuan fajin për veprimet e kryera.

Paraprakisht, prokurorja Lile Stefanova para gjykatës i prezantoi rrethanat lehtësuese dhe vështirësuese dhe theksoi për zbutje dhe kushtëzim të dënimeve.

I akuzuari Martin Protugjer theksoi se ky gjest i referohet vetëm atij.

“Si pjesëmarrës në ngjarjet politike në të kaluarën dhe sjelljen e vendimeve në të kaluarën, ndjej një obligim moral ta bëj këtë që po bëj tani dhe do të potencoja diçka që nuk e kam përmendur më parë, ndërkaq ndjej nevojë të thuhet, se ky gjest dhe kjo ndjenjë e përgjegjësisë ka të bëjë vetëm me mua, e jo me pjesëtarët e MPB-së të cilët në kuptim të caktuar, në pajtim me aktakuzën, janë të lidhur me mua dhe gjendja faktike lidhur me është e ndryshme”, theksoi ai.

Protugjer konsideron se opinioni ka ndërtuar një mendim dhe vlerësim për secilin prej tyre në bazë të asaj që në luftë politike i është ofruar opinionit, me ç’rast theksoi se pa dallim të raportit të tij ndaj asaj, ndjen keqardhje të thellë dhe të sinqertë.

Mile Janakieski bëri lutje për dënim më të mundshëm minimal.

“Nëntë vite vazhdimisht kam punuar të bëj diçka për këtë shtet, ndërsa tashmë shtatë vite po vuaj dënimin. Prej vitit 2015 unë çdo ditë jam në gjykatë. Këtë e bëra sepse ndjeva para së gjithash përgjegjësi morale dhe prandaj kërkova falje për të gjitha çastet e pakëndshme në bombat edhe krahas asaj që edhe atje kam qenë viktimë sepse së bashku me bashkëshorten time jam përgjuar, por konsideroj se duhet ta bëj këtë hap në mënyrë që në njëfarë mënyre të kontribuoj për përmirësim të gjendjes në shoqëri”, tha Janakieski, duke shtuar se çdo ditë dënimi më i madh do të jetë më pak kohë për fëmijët e tyre.

E akuzuara Katerina Velkovska kërkoi që gjykata ta vlerësojë atë që ajo punon punë shtetërore.

“Unë për nga natyra jam legaliste, e respektoj fuqinë e ligjit dhe prandaj ky akt i përgjegjësisë sit për mua paraqet një lloj lehtësimi për diçka të bërë pa vetëdije dhe me mendim të mirë, pa ia cenuar, me atë rast, asnjë personi në listën zgjedhore në vitin 2011 të drejtën e votës”, tha ajo.

Gordana Jankullovska në fjalën përmbyllëse theksoi se beson që ky këshill gjyqësor ka bërë vlerësim të drejtë për profilin e secilit prej tyre.

“Me pranimin e fajit lidhur me këtë aktakuzë, dëshiroj të dërgoj porosi se secili që i përvishet punës për të kryer funksion publik, shtetëror apo politik, duhet të jetë i gatshëm të përballet me pasojat nga vendimet në të cilat ka marrë pjesë, edhe gjatë kryerjes së funksionit tim, edhe tani, si ish-funksionare, as kam ikur, as do të ik nga përgjegjësia, opinioni e ka të qartë se duke e pasur parasysh se duke kryer një nga funksionet më komplekse, ministre e Punëve të Brendshme, kam marrë pjesë edhe në sjelljen e vendimeve të cilat jo vetëm që nuk ishin të lehta, por shumë shpesh ishin edhe mjaft të rrezikshme, përfshirë edhe rrezikun për jetën time”, theksoi Jankullovska.

Sipas saj, ky pranim i fajit do të kontribuojë për përforcimin e shtetit juridik.

I akuzuari Munir Pepiq deklaroi se e ka pranuar fajin për t’i shkurtuar hallet e tij dhe të familjes së tij.

“Mjaft ia shkatërrova jetën familjes dhe vetes time, prandaj edhe sot solla vendim të tillë, ta pranoj fajin, t’ua shkurtoj hallet familjes dhe vetes time”, tha ai.

Fjalë përmbyllëse pati edhe mbrojtja e Biljana Brishkovska-Boshkoskit, Kiro Todorovskit dhe Kosta Mitroskit, të cilët, gjithashtu, e pranuan fajin.

Rastin “Titanik” e udhëheq gjyqtari Osman Shabani, ndërsa aktakuzën e përfaqëson prokurorja Lile Stefanova.

Përveç ish-kryeministrit Nikolla Gruevski i cili është në arrati, në “Titanik” akuzohen edhe Kiril Bozhinovski, Mile Janakieski, Gordana Jankulloska, Biljana Brishkoska Boshkovski, Ilija Dimovski, Munir Pepiq, Edmond Temelko, Leko Ristoski, Kiril Todorovski, Katerina Veloska, Stanko Korunovski, Kosta Markovski, Dragçe Dragçeski, Marjan Nakevski, Goce Janevski, Xhezmi Ahmet, Robert Davitkov, Dalibor Aleshkoviq dhe Lenka Rashajkovska.

Ata dyshohen për bashkim kriminal, shkelje të së drejtës së votës, shkelje të lirisë së zgjedhjes së votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim të materialit zgjedhor dhe keqpërdorim të mjeteve për financimin e fushatës zgjedhore. 

Gjykimi për të akuzuarit e tjerë në rast, të cilët nuk ndjehen fajtorë, vazhdon më 9 mars.