Janë shqiptuar 236 sanksione për vozitje të shpejtë

Shkup, 10 shkurt – Ministria e Punëve të Brendshme gjatë ditës së djeshme, zbatoi aksion të përforcuar kontrollues në territorin e shtetit për sanksionimin e automjeteve të cilat lëvizin me shpejtësi më të madhe se e lejuara, me çka janë sanksionuar 236 shoferë.

Siç bëjnë të ditur nga MPB, nga numri i përgjithshëm i sanksioneve të shqiptuara, 10 automjete kanë lëvizur me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë më shumë se e lejuara, ndërsa një automjet ka lëvizur me madje mbi 70 kilometra në orë më shumë se shpejtësia e lejuar. Gjatë kësaj, 134 shoferë, e kanë tejkaluar shpejtësinë në vend të banuar, ndërsa 102 jashtë vendbanimit.

Nga MPB paralajmërojnë se aksionet e përforcuara kontrolluese vazhdojnë edhe në ditët në vijim dhe u bëjnë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që t’i respektojnë rregullat në komunikacion që bashkërisht të kontribuojmë për rrugë më të sigurta.