Ministria e Shëndetësisë është në fazën e negociatave me kompaninë “Fajzer” për furnizim të ilaçit kundër Kovid-19

Shkup, 9 shkurt – Ministria e Shëndetësisë është në fazën e negociatave me prodhuesin “Fajzer” për furnizim me ilaçin kundër KOVID-19, por sipas ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali, ky është një proces  dhe nuk duhet të pritet se kur do të arrijë ilaçi, sepse tashmë kemi vaksinë për të cilën shkencëtarisht është dëshmuar se tani për tani është mënyra më e sigurt për mbrojtje të shëndetit.

“Shprehëm interes inicial se duam të inkuadrohemi drejt  negociatave për furnizim të ilaçit, por kur do të ndodh kjo nuk mund të saktësoj.  Shprehëm interesim dhe  i jemi afruar fazës së negociatave dhe marrëveshjes për furnizim”,  deklaroi Sali duke qenë  mysafir në televizionin Kanal 5.

Protokolli për shërim nga KOVID-19 ekziston, thotë Sali, duke potencuar se ai është shënuar në më shumë se 35 faqe nga profesorë të Klinikës Infektive dhe është në dispozicion në të gjitha institucionet shëndetësore.

“Në periudhën prej dy viteve ai ka pasur disa ndryshime, në bazë të të gjitha llojeve të cilat u paraqitën tek ne. Më lejoni të përmend se ne njohim vetëm katër llojer tek ne, ndërsa në botë janë rreth 50. Ndjej keqardhje që disa mjekë ndoshta  nuk i kanë ndjekur këto procedura dhe kanë vepruar sipas protokolleve më të shkurtra të cilat i kanë marrë nga shtetet fqinje. Por, edhe kjo nuk është gabim, të ndiqet shembulli nga një shtet fqinj i cili me sukses ballafaqohet me pandeminë”, deklaroi Sali.

Në seancën e djeshme të Komisionit, theksoi Sali, është biseduar si të mundësohet një protokoll  në dispozicion të opinionit për trajtim, në mënyrë që të mos keqpërdoret.