Rritet bashkëfinancimi për “naftën e gjelbër”

Shkup, 8 shkurt – Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski kumtoi se sivjet do të rritet bashkëfinancimi i shpenzimeve për “naftën e gjelbër”.

Siç tha Nikollovski në konferencën për shtyp, ky vendim është sjellë pas shqyrtimit se shpenzimet për naftë tek të gjitha kulturat bujqësore është rritur për 13 për qind.

Nëse vitin e kaluar shpenzimet për naftë, për misrin janë subvencionuar me 1.250 denarë për një hektar, bujqit këtë vit, përmendi ministri do t’i marrin 1.413 denarë për një hektar për shkak të çmimit të rritur të naftës dhe rishikimit të metodologjisë për përllogaritjen e shpenzimeve.

“Duke i ndjekur lëvizjet e çmimeve të naftës, e pamë se shpenzimet për naftë tek të gjitha kulturat janë rritur për 13 për qind. Prandaj, me qëllim që t’i anulojmë shpenzimet e rritura për naftë, e rrisim shumën për bashkëfinancim për një hektar për subvencione për “naftën e gjelbër”, tha Nikollovski.

Sipas tij, edhe krahas rritjes së çmimit të naftës, bashkëfinancimi për “naftën e gjelbër” ngelet 50 për qind, por do të jetë për 13 për qind i rritur, ndërsa me ndryshimet e Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të cilat do t’i propozohen Parlamentit, do të mundësohet edhe rritje e bashkëfinancimit deri në 100 për qind.

Nikollovski përkujtoi se kjo Qeveri e solli këtë masë për herë të parë dhe çdo vit edhe pesë milionë euro mbi këtë bazë do të shkojnë tek bujqit.