Spasovski: Kemi mekanizma për mbrojtje nga sulmet kibernetike, por duhet vazhdimisht edhe të përmirësohen
Shkup, 7 shkurt – Sulmet kibernetike janë kërcënim real për të gjitha institucionet, por kjo që dje u paralajmërua dhe me pompozitet doli në mediume është lajm klasik i rrejshëm, tha ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski lidhur me kumtimet në rrjetet sociale se një grup hakerësh grekë ka hyrë në sistemin kompjuterik të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe e ka marrë kontrollin ndaj kamerave vëzhguese dhe faqes së internetit.
Lajmin, i cili dje u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, sot e demantoi MASH-i.
“Nuk ka sulm hakerik ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe institucioneve të tjera, nuk ka sulm në të cilin është hyrë dhe janë marrë të dhëna dhe dokumente dhe nuk ka sulm ndaj sistemit për video mbikëqyrje. Videoja që u publikua nuk është nga MASH-i e as nga cila do tjetër ministri”, deklaroi Spasovski për TV Sitel në përgjigje të pyetjes nëse dhe sa janë të sigurta institucionet shtetërore nga sulmet e këtilla.
Ai theksoi se shteti ka mekanizma dhe se secili institucion punon individualisht në mbrojtjen e të dhënave të veta elektronike, ndërsa MPB-ja është në koordinim me Sektorin e vet për parandalim të krimit kompjuterik dhe me Agjencinë për komunikime elektronike dhe se institucioneve shtetërore u jepet ndihma e nevojshme me qëllim që të ruhet sistemi.
“Megjithatë, ajo është diçka që vazhdimisht duhet të përmirësohet, të përforcohen edhe resurset materiale-teknike dhe ato njerëzore në secilën prej ministrive dhe posaçërisht tek ne, në Sektorin për parandalim të krimit kompjuterik. Deri më tani ka pasur tentime për sulme ndaj disa ueb-faqeve të caktuara të institucioneve, por për shkak të mekanizmit të vendosur mbrojtës, kjo nuk ka ndodhur. Ai ishte lajm i rrejshëm, mendoj se nuk duhet të krijojmë ndonjë famë nëse diçka e tillë nuk ekziston”, tha Spasovski.
MASH-i sot në demantin e vet informoi se video-xhirimet nga kamerat e sigurisë të cilat shfaqen nuk janë nga hapësirat e tyre dhe se pas kontrolleve të bëra të shërbimit adekuat të brendshëm së bashku me institucionet kompetente për përballje me incidente kompjuterike, nuk është konstatuar kurfarë sulmi në sistemet elektronike dhe bazat e të dhënave me të cilat disponon. MASH-i u bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e spekulimeve dhe të jenë të qetë për të dhënat personale të nxënësve, studentëve, kuadrit mësimor sepse sistemet janë të mbrojtura në mënyrë adekuate.

