Ministri Sali takon ambasadorin japonez Savada, pranon ndihmë prej 800,000 eurove

Shkup, 7 shkurt – Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali sot ka realizuar takim me ambasadorin e Japonisë në vendin tonë, Hironori Savada. Në takim është konfirmuar mbështetja e shkëlqyer e deritanishme ndërsa mes dy palëve është arritur akord për thellimin e bashkëpunimit, informon Zhurnal.

Japonia kështu ka ndihmuar Maqedoninë e Veriut me 800,000 euro për blerjen e pajisjeve mjekësore për Klinikën Infektive dhe KARIL, si dhe është planifikuar dhe rindërtimi i repartit të radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë.

Përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) sigurohet angiograf të ri mobil për nevojat e Shërbimit Intervencional të Kardiologjisë dhe Radiologjisë dhe do ta marrë Spitali i Përgjithshëm i Qytetit “8 Shtatori” në Shkup, në vlerë prej 100.886 euro.

Në kuadër të programit për projekte të vogla (GSP), gjithashtu realizohen edhe disa marrëveshje projektesh me spitalet në të gjithë vendin dhe çdo vit ofrohet asistencë për institucionet publike shëndetësore.

Krahas asistencës së vazhdueshme për përforcimin në pajisje, ofrohen edhe trajnime edukative për tema me interes për shëndetin tonë, thuhet në njoftimin e ministrit Sali.//Zhurnal.mk