Liderët e BE-së unanim se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë bisedime për anëtarësim në BE menjëherë
Shkup, 4 shkurt – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski e përfundoi vizitën e tij dyditore të punës në Bruksel dhe me këtë rast theksoi se liderët e institucioneve të BE-së janë njëzëri në mbështetjen e tyre për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut për hapjen e kapitujve pa vonesë.
Kovaçevski nënvizon se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në familjen evropiane dhe se ajo është e ardhmja e vlerave më të larta demokratike, agjenda e gjelbër, burimet e ripërtërishme të energjisë, digjitalizimi dhe rrugë e cila të rinjve ju krijon parashikueshmëri dhe hapësirë për zhvillim.
“Sapo kemi përfunduar takimin e fundit nga një serie takimesh këtu në Bruksel, si pjesë e një vizite pune gjatë dy ditëve të fundit. Më vjen mirë që takimi me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen rrumbullakosi agjendën tonë. Ne morëm mbështetje të qartë nga Fon der Lajen për rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.
Këtu në Bruksel i informova partnerët tanë të Bashkimit Evropian për progresin që kemi bërë së bashku me Republikën e Bullgarisë në thellimin e bashkëpunimit të fqinjësisë së mirë. Angazhimi i të dy vendeve për të gjetur zgjidhje dhe për të intensifikuar dialogun është i qartë dhe i mirëpritur”, theksoi Kovaçevski.
Nëpërmjet bisedimeve me miqtë tanë Sharl Mishel në Këshillin Evropian dhe Roberta Mecola në Parlamentin Evropian, u konfirmua mbështetja e hapur për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, thotë Kovaçevski.
Ai përmendi se në Bruksel, të gjithë janë unanim se Maqedonia e Veriut duhet të fillojë menjëherë negociatat për anëtarësim në BE.
“Jemi mirënjohës për solidaritetin e treguar nga Bashkimi Evropian gjatë gjithë pandemisë. Gjatë krizave treguam se çfarë do të thotë të jesh evropian dhe çfarë do të thotë për Maqedoninë e Veriut të ketë mbështetje në momentet më të vështira”, tha Kovaçevski, duke e përshëndetur të ardhmen Planin e Investimeve Ekonomike për Ballkanin Perëndimor si një hap të rëndësishëm që do të nënkuptojë realizimin e projekteve të tilla strategjike.
Ai përkujtoi se vizitën e ka nisur me një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe se së bashku riafirmuan unitetin për çështjet që lidhen me Ukrainën dhe nevojën për të de-përshkallëzuar dhe zgjidhur çështjet me Rusinë përmes rrugës së diplomacisë. Sepse ne jemi NATO, dhe NATO është për paqen dhe dialogun, për sigurinë.
“Vizitën e punës e mbyllim me takime me miq të dashur në Bashkimin Evropian, shtëpisë të cilës i përkasim. Ne kthehemi me një mbështetje të fortë që na motivon të intensifikojmë evropianizimin në vend”, konkludoi Kovaçevski pas përfundimit të vizitës së parë të tij zyrtare në institucionet evropiane në Bruksel.

