Kovaçevski – Mecola: Mbështetja e PE-së e rëndësishme për zgjerimin e BE-së me vendet nga Ballkani P.

Bruksel, 4 shkurt – Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, realizoi takim me kryetaren e Parlamentit Evropian, Roberta Mecola, me ç’rast shprehu falënderime për angazhimin e vazhdueshëm dhe gatishmërinë e Parlamentit Evropian në mbështetjen e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor të përparojnë në procesin e integrimit në BE.

Siç kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp, në takimin në të cilin morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kryeministri Kovaçevski ia uroi marrjen e postit Roberta Mecolës për kryetare të Parlamentit Evropian (PE). Si veçanërisht të rëndësishëm e vuri në dukje bashkëpunimin e frytshëm të Maqedonisë së Veriut me Parlamentin Evropian në kuadër të Dialogut Zhan Mone, përmes diskutimeve të Komitetit të Përzier Parlamentar, si dhe punën e përkushtuar të deputetëve të PE-së për avancimin e vendit në realizimin e standardeve në procesin e anëtarësimit në BE.

“Gjatë bisedimeve në Parlamentin Evropian, Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut Kovaçevski e informoi kryetaren e PE-së Mecola për gatishmërinë e fuqishme të qeverive në Shkup dhe Sofje për të dyfishuar përpjekjet e tyre për përmirësimin e marrëdhënieve me synime të qarta për përshpejtimin e procesit të mbajtjes së Konferenca e parë Ndërqeveritare me BE-në”, thuhet në kumtesë.

Në takim u theksua progresi në reformat në gjyqësor dhe në sundimin e ligjit të njohur në raportin e fundit të Komisionit Evropian dhe u theksua se Maqedonia e Veriut vazhdon me përkushtim të fuqishëm politik të zbatojë rekomandimet pozitive të Parlamentit Evropian për implementimin e reformave, për të përfunduar projektin strategjik të zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, qëndron në kumtesë.